Ndërlidhjet

BE: Aksioni në veri vë në rrezik situatën e brishtë të sigurisë


Selia e BE-së në Bruksel. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Selia e BE-së në Bruksel. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Bashkimi Evropian tha se është “i zhgënjyer” nga mungesa e vazhdueshme e koordinimit e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe ata të sigurisë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se aksioni i 30 gushtit, i ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës për mbylljen e pesë komunave paralele serbe në veri të Kosovës, “vë në rrezik situatën e brishtë të sigurisë në terren”.

Sipas tij, ky aksion “mund të çojë në përshkallëzim të mëtejmë të situatës veçse të paqëndrueshme”.

“BE-ja dëshiron të përsërisë se Kosova është e përkushtuar për ulje të tensioneve. BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të shmangë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e njerëzve në terren. Fatkeqësisht, thirrjet tona janë shpërfillur nga Qeveria e Kosovës”, tha Stano për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Stanos, mbështetja e Serbisë ndaj institucioneve paralele në veriun e Kosovës, parashihet “të adresohet dhe zgjidhet në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja”.

“Ne presim që Kosova dhe Serbia të zgjidhin çështjet e hapura mes tyre në dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja”, tha Stano.

Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.

Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.

Serbia, në buxhetin për vitin 2024, ka rritur financimin për punën e institucioneve paralele në Kosovë, përmirësimin e jetës së qytetarëve, informimin, por edhe për mbështje për klerikët dhe murgjit në Kosovë.

Më herët gjatë këtij viti, Kosova mbylli shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë tjera të vendit si, Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.

Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.

Ndryshe, aksioni i 30 gushtit është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, që kanë shprehur shqetësimet për veprimet “e pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës. Uashingtoni ka thënë se këto veprime pasqyrojnë përkeqësimin e raporteve mes SHBA-së dhe Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG