Irani dhe Koreja e Veriut kanë një histori të gjatë të bashkëpunimit në avancimin e arsenaleve të tyre ushtarake.
Tani, rritja e përpjekjeve të tregtisë mes dy shteteve, që janë të sanksionuara rëndë, ka rritur shqetësimet se këto dy vende mund të ndajnë raketa të avancuara dhe teknologji bërthamore.
Në një kohë kur Teherani dhe Pheniani po luajnë rol qendror në rritjen e tensioneve botërore, mundësia që një shtet sikurse Koreja e Veriut të ketë armë bërthamore dhe raketa ndërkontinentale, dhe që të ndihmojë një shtet tjetër, siç është Irani, i cili akuzohet se po kërkon të posedojë armë bërthamore, ka rritur frikën në kryeqytetet perëndimore.
Vizita e muajit të kaluar të një delegacioni të Koresë së Veriut në Teheran vetëm se ka rritur dyshimet.
Uashingtoni dhe Brukseli kanë shprehur shqetësime për çdo bashkëpunim që shkel sanksionet, duke nxitur Teheranin që të insistojë se vizita e ministrit verikorean për Çështje të Jashtme Ekonomike, kishte qëllim vetëm përmirësimin e lidhjeve ekonomike, duke theksuar se është i “pavërtetë” vlerësimi se dy shtetet po kërkojnë të zgjerojnë bashkëpunimin në teknologjinë e raketave.
Por, pretendimet se teknologjia ushtarake e Koresë së Veriut është shfaqur në duart e bashkëpunëtorëve të Iranit në Lindjen e Mesme dhe se ka ndihmuar sulmin me dronë dhe raketa që Irani kreu ndaj Izraelit muajin e kaluar, vetëm se kanë rritur edhe më shumë shqetësimet.
Ekspertët thanë se të dyja palët i lidh qëndrimi i përbashkët kundër Perëndimit dhe së fundi i ka bashkuar edhe mbështetja që i kanë ofruar kauzës palestineze. Secili nga dy shtetet ka shumë që të ofrojë kur bëhet fjalë për ekspertizën ushtarake dhe përvojën.
“Programi bërthamor i Koresë së Veriut sigurisht është diçka që iranianët duan ta imitojnë”, tha Benjamin Young, ekspert për Korenë e Veriut në Universitetin Virginia Commonwealth. “Aftësia e Koresë së Veriut për të zhvilluar armë bërthamore në një ritëm të shpejtë, për Republikën Islamike, është e admirueshme”.
Pheniani ka edhe transportues me rreze të gjatë për raketën e tij balistike ndërkontinentale, Hwason-15, që është e aftë të godasë tokën amerikane.
“Koreja e Veriut ka bërë përparime sa i përket aftësive të saj për prodhimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, fushë në të cilën Irani mund të jetë i interesuar”, tha Kenneth Katzman, ekspert për gjeopolitikën në Lindjen e Mesme, njëherësh këshilltar i lartë në grupin për konsulencë të inteligjencës Soufan, me seli në Nju Jork.
Që një kohë të gjatë, Teherani insiston se programi i tij bërthamor ka qëllime vetëm paqësore. Por, pas rritjes së tensioneve me Izraelin, Irani ka theksuar më 12 maj se mund të mos ketë zgjidhje tjetër përpos që të ndryshojë doktrinën e tij bërthamore.
Sa i përket asaj se çfarë Teherani mund t’i ofrojë Koresë së Veriut, sulmet me raketa dhe dronë të kryera nga Irani dhe bashkëpunëtorët e tij rajonalë kanë ofruar përvojë të vlefshme.
Katzman theksoi se “raketat iraniane nuk performuan shumë mirë kundër Izraelit” gjatë sulmit të 19 prillit, pasi shumica e rreth 150 raketave balistike dështuan apo u rrëzuan. Por, ai tha se ky sulm dhe sulmet e tjera të kryera nga Irani dhe bashkëpunëtorët e tij në rajon i kanë ofruar Teheranit njohuri se si funksionojnë sistemet kundërajrore perëndimore.
Kjo mund të jetë e vlefshme për Korenë e Veriut, tha ai, sepse raketat e saj “mund të përballen me teknologji të ngjashme nëse i lëshon kundër Japonisë, Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara” – që Veriu i konsideron si armiqtë e tij kryesorë.
Young tha se aftësia e Iranit që të prodhojë në masë dronët kamikazë Shahed-136 – që u përdorën në mënyrë të paskuesshme nga Teherani kundrejt Izraelit, por që janë përdorur në masë të madhe nga Rusia në luftën e saj kundër Ukrainës – po ashtu “ka të ngjarë që të jetë atraktive për Phenianin”.
Koreja e Veriut për dekada të tëra ka partneritet ushtarak me Teheranin, përfshirë edhe sigurimin e armëve konvencionale për Republikën Islamike gjatë luftës Iran-Irak në vitet ’80 dhe ka ndihmuar në vitet ’90 në zhvillimin e raketave balistike iraniane.
Pasardhëset e atyre raketave janë përdorur në sulmin e Iranit kundër Izraelit dhe inteligjenca e Koresë së Jugut raportohet se po heton nëse komponentët verikoreane janë përdorur në sulm. Inteligjenca e Koresë së Jugut po ashtu ka thënë se armët e Koresë së Veriut janë përdorur kundër Izraelit nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, sulmi i të cilit më 7 tetor ndaj Izraelit nxiti luftën në Gazë.
Është e paqartë se sa armë mund të jenë transferuar, por Katzman tha se që kur Izraeli nisi ofensivën e tij në Gazë, që synon eliminimin e Hamasit të mbështetur nga Irani, Koreja e Veriut “ka përsëritur qëndrimin iranian për Gazën, si mënyrë për t’i qëndruar pranë Iranit”.
Young tha se raportet e Phenianit me bashkëpunëtorët iranianë nuk janë asgjë e re, duke theksuar se Koreja e Veriut krenohet se ka disa nga ekspertët më të mirë në botë për ndërtimin e tuneleve dhe “me shumë gjasa” ka ndihmuar Hezbollahun e Libanit, që të ndërtojë rrjetin e vetë të tuneleve në Lindjen e Mesme.
Ai tha se nuk sinjale për forcimin e raporteve mes Koresë së Veriut dhe Hamasit apo Hezbollahut, që nga sulmi vdekjeprurës ndaj Izraelit, por sa herë që ka ndonjë krizë të madhe ushtarake “armët verikoreane shfaqen rregullisht”. Kjo, tha ai, pjesërisht është për faktin që “Koreja e Veriut dëshiron t’i shfrytëzojë këto konflikte që të përfitojë financiarisht dhe në mënyrë aktive tenton të gjejë blerës për armët e saj”.
Vizita e delegacionit verikorean në Teheran, që u zhvillua vetëm një muaj pasi një vizitë e ngjashme u zhvillua në Moskë, rriti shqetësimet se Pheniani po hyn në një partneritet më të gjerë, ku përfshihen Irani dhe Rusia. Një mundësi e tillë ka marrë vëmendjen, pas raportimeve se Koreja e Veriut ka ofruar municione për të ndihmuar Rusinë në përpjekjet e saj të luftës në Ukrainë.
Lidhur me arsyen se pse Irani mund të kërkojë bashkëpunim me Phenianin në vend se me aleatët e tjerë, sikurse Rusia apo Kina – anëtarët e tjerë të bllokut të shteteve të sanksionuara – Katzman tha se “Koreja e Veriut ka gjasa që është më e gatshmja” për një bashkëpunim të tillë.
“Ekziston historia e marrëdhënieve me raketa, dhe Koresë së Veriut sigurisht që nuk i intereson që t’i nënshtrohet më sanksioneve”, tha Katzman. “Prandaj, Koreja e Veriut do të hezitonte që të ndajë këtë teknologji”.