Ndërlidhjet

Bashkëpunimi me vendet tjera u sjell përfitime pacientëve dhe stafit mjekësor


Ilustrim.
Ilustrim.

Autoritetet përgjegjëse në fushën e shëndetësisë në Kosovë po e konsiderojnë mjaft të suksesshëm bashkëpunimin me vendet tjera. Ky bashkëpunim, vlerësohet të jetë i dobishëm si për stafin mjekësor, ashtu edhe për pacientët.

Në rastet kur pacientët nuk mund ta marrin një trajtim brenda Kosovës, ata sugjerohen që të shkojnë për trajtim në shtete tjera, me të cilat Ministria e Shëndetësisë ka marrëveshje bashkëpunimi.

Në anën tjetër, bashkëpunimi i mundëson edhe stafit mjekësor që të shkëmbejë përvoja me mjekë e infermierë në shtete të ndryshme të Evropës e më gjerë.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë i tha Radios Evropa e Lirë se këto marrëveshje mundësojnë fuqizimin dhe bashkëpunimin në shumë fusha që kanë të bëjnë me shkëmbimin e informacioneve të rëndësishme, shkëmbimin e ekspertëve, pjesëmarrje të përbashkëta në kongrese dhe simpoziume me karakter ndërkombëtar, masat e ndryshme për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, si dhe aspektet tjera që kanë të bëjnë edhe me fushën e kontrollit të barnave, hulumtime e të tjera.

“Për një shtet të ri si Kosova, që e ka në konsolidim e sipër sistemin shëndetësor, çdo marrëveshje bashkëpunimi forcon institucionet shëndetësore të vendit tonë, iu mundëson ekspertëve të vendit të marrin përvoja të reja dhe të përfitohet nga mënyra se si shtetet tjera të cilat kanë shëndetësi të suksesshme, si ia kanë arritur që sistemin e tyre shëndetësor ta ngrisin në nivelin më të lartë”, tha Hoti.

Ai përmend edhe disa shtete me të cilat ka më shumë bashkëpunim në fushën e shëndetësisë.

“Nëse i referohemi shtetit turk, aty ka pasur një kontribut të këtij shteti në trajtimin falas të pacientëve kosovarë, pastaj kujdesi intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është bërë me ndihmën e këtij shteti”, tha Hoti.

“Gjithashtu Luksemburgu ka qenë ai shtet që ka ndihmuar në sistemin e informimit shëndetësor në ngritjen e kapaciteteve spitalore, e gjithashtu ka pasur donacione, dërgimin e autoambulancave. Italia ka qenë e koncentruar në kardiokirurgji dhe kardiologjisë invasive, e kështu me radhë”, thekson ai.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu thotë se nga përvoja e deritashëm është vërtetuar se jo vetëm pacientët janë ata që përfitojnë nga bashkëpunimi me vendet tjera, por edhe stafi mjekësor.

Ai përmend me këtë rast shkëmbimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, të cilin e vlerëson si shumë të dobishëm.

“Marrëveshjet me shtetin e Shqipërisë kanë qenë frytdhënëse dhe përfitimet janë të dyanshme. Qytetarët nga Bajram Curri, Tropoja por edhe vendeve tjera, marrin shërbime shëndetësore qoftë në spitalin e Prizrenit, Gjakovës, Pejës. Por, edhe qytetarët e Kosovës në rast nevoje do të trajtohen në spitale të Shqipërisë. Kjo vlen edhe për gjitha vendet që Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi”, tha Fazliu.

Sidoqoftë, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se përpos shkëmbimit të përvojave mes mjekëve vendorë dhe atyre të huaj, ka pasur në vazhdimësi mbështetje të donatorëve, që ka rezultuar me ngritjen e kapaciteteve institucionale, atyre humane, furnizime me barna, pajisje mjekësore dhe ngritje të infrastrukturës shëndetësore.

Ata kanë shtuar tutje se po punohet në vazhdimësi që të krijohet një ambient i përshtatshëm për investimet e huaja, pasi ato janë të domosdoshme, si krijimi i ambientit të përshtatshëm për shkollim të mëtutjeshëm të mjekëve nga Kosova në klinika të ndryshme evropiane e më gjerë.

Ndërkaq, edhe vet mjekët thonë se përfitimet mes shkëmbimit të përvojave me mjekë të huaj kur ata marrin pjesë në trajtime, janë të mëdha, meqë praktikat e ndryshme mjekësore që përdoren sot në botë po aplikohen edhe në Kosovë.

Onkologu Arben Bislimi ka potencuar faktin se “disa procedura diagnostike bëhen sidomos në Austri, për sëmundjet hemato-onkologjike e që kanë kosto të lartë, por që fëmijët i bëjnë falas përmes urave lidhëse institucionale që janë bërë”.

Ai shton se akoma shumë procedura diagnostike nuk po mund të bëhen në Kosovë.

“Ndërkaq, duhet cekur se një pjesë e madhe e leukemive mund të trajtohet në Kosovë, por ka ngecje në shumë tjera”, thotë Bislimi.

Sidoqoftë, Kosova dhe Shqipëria në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, që është mbajtur ditë më parë në qytetin e Pejës, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, ku ndër të tjera palët do të ngrenë një Komitet të Përbashkët Monitorimi dhe Koordinimi, me qëllim vlerësimin e prioriteteve në kuadër të bashkëpunimit, përgatitjen e plan veprimeve në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore dhe informimin periodik të dy ministrive mbi zhvillimet e këtij bashkëpunimi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG