Kryediplomati i Kinës i tha presidentit rus, Vladimir Putin, se Kina dhe Rusia duhet të punojnë për të forcuar bashkëpunimin në dritë të “një situate të ndërlikuar ndërkombëtare”, raportoi media shtetërore kineze.
Duke folur gjatë takimit me Putinin në Shën Petersburg, kryediplomati kinez, Wang Yi, tha se “bota po lëviz shpejt drejt polarizimit”.
Gjatë këtij takimi, Putin pranoi ftesën që të vizitojë Kinën muajin e ardhshëm.
“Globalizimi i ekonomisë po përparon, veprimet e njëanshme janë të paqëndrueshme dhe hegjemonizmi nuk është popullor”, tha Wang, sipas agjencisë së lajmeve Xinhua.
“Të dyja palët duhet të forcojnë bashkëpunimin shumëpalësh strategjik, të mbrojnë të drejtat dhe interesat e tyre legjitime dhe të bëjnë përpjekje të reja për të promovuar rendin botëror të drejtësisë”, shtoi ai.
Ndërkaq, Putin i tha Wangut se “qëndrimi ynë është i njëjtë sa i përket polarizimit të botës”, u tha në njoftimin e Kremlinit.
Ai po ashtu tha se ka pranuar me kënaqësi ftesën e liderit kinez, Xi Jinping, “për të vizituar Kinën gjatë tetorit si pjesë e një ngjarjeje të madhe për të promovuar Nismën Brezi dhe Rruga”.
Putin pritet të marrë pjesë në forumin e tretë të Nismës Brezi dhe Rruga në Pekin, që do të përkojë me 10-vjetorin e inicimit të kësaj nisme, që është projekt ndërkombëtar i Kinës për fushën e infrastrukturës.
Megjithatë, datat se kur do të mbahet samiti nuk janë bërë publike.
Kina dhe Rusia e përshkruajnë njëra-tjetrën si aleate strategjike dhe kanë thënë se kanë “partneritet pa kufij” në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe ushtarak.
Dy shtetet janë afruar më shumë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar. Kina ka refuzuar që ta dënojë luftën.
Kremlini ka kërkuar që të themelojë bashkëpunimin e Kinës pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.
Kina e ka tentuar që të paraqesë veten si palë neutrale në luftën në Ukrainë dhe i ka ofruar Moskës ndihmë diplomatike dhe financiare.