Ndërlidhjet

Banorët e Virxhinias dyshojnë nëse fqinji i tyre ka qenë informator rus


Shtëpia në pronësi të Oleg dhe Antonina Smolenkovit.
Shtëpia në pronësi të Oleg dhe Antonina Smolenkovit.

Teksa zyrtarët amerikanë dhe ata rusë ngrisin dilema rreth vërtetësisë së raportimeve të mediave amerikane se dy vjet më parë CIA ka nxjerrë nga Rusia një person që pretendohet se ka ofruar informacione sekrete për presidentin rus, Vladimir Putin, përpjekjet për ta identifikuar këtë njeri kanë çuar drejt një prone rreth një orë larg në jugperëndim të Uashingtonit.

Askush nuk është përgjigjur kur një gazetar i Radios Evropa e Lirë i ka rënë ziles në adresën e shtëpisë, 78 Partridge Lane në Staford të Virxhinias, e cila sipas të dhënave publike është në pronësi të Oleg Smolenkovit, emri që është përmendur nga Kommersant dhe media tjera ruse si informatori i dyshuar.

Perdet kanë qenë të mbyllura në shtëpinë në fund të rrugës dhe vetëm një vend për lojë basketbolli është parë mbrapa saj.

Pronarët e shtëpive të lagjes, të cilët sipas një banori janë përshkruar si pjesëtarë apo ish-pjesëtarë të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) dhe ushtrisë, nuk kanë arritur të identifikojnë familjen që ka jetuar në atë shtëpi.

Njëri prej tyre, që e ka identifikuar veten si Greg Talley dhe ka thënë se jeton në rrugën tjetër ngjitur, u ka treguar gazetarëve se ai e ka ditur që familja që ka jetuar në atë shtëpi është vendosur aty një vit më parë dhe ka menduar se janë rusë. Ai ka dëgjuar anëtarët e familjes duke u larguar në orët e vonë të 9 shtatorit, mirëpo ka thënë se nuk e di se ku janë nisur.

Një postier që ka lënë diçka në një kuti postare ka thënë se emri Oleg Smolenkov i tingëllon i njohur, mirëpo nuk ka dhënë informacione tjera.

Nicole Clements, ish-zyrtare e inteligjencës ushtarake dhe fqinje, ka thënë se nuk është përmendur ardhja e ndonjë rusi nga asociacioni i pronarëve të lagjes.

Regjistrat publikë tregojnë se shtëpia është blerë më 4 qershor të vitit 2018 nga Antonina Smolenkov dhe Oleg Smokenkov, që duket se ka qenë lëshim drejtshkrimor. Në muajin janar të vitit 2019, emri është ndryshuar në Oleg Smolenkov, dhe në muajin mars, pronësia është transferuar nga Antonina Smolenkov dhe Oleg Smolenkov te një palë e tretë menaxhuese.

Ka shumë mundësi që ky është Oleg Smolenkov dhe familja e tij, të cilit i është lidhur emri me mediat ruse në raportimet e mediumeve amerikane, The New York Times, CNN, dhe The Washington Post, se CIA ka nxjerrë nga Moska një individ që ka ofruar informacione për presidentin rus Putin, duke përfshirë informacione për ndërhyrjen e supozuar ruse në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 2016.

Pa identifikuar emrin e personit, mediat amerikane kanë raportuar më 9 shtator se ky person është konsideruar i rëndësishëm për inteligjencën amerikane dhe ndonëse nuk ka qenë në rrethin e ngushtë të Putinit, ai ka pasur qasje në planifikimet e Rusisë për siguri dhe informacione tjera të klasifikuara.

Zyrtarë të paidentifikuar rusë i kanë thënë të përditshmes Kommersant se raportimet janë të rreme. Një zëdhënëse e CIA-s i ka thënë CNN-it, që ka raportuar i pari për këtë tregim se raportimet janë “spekulime të gabuara”. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i ka konsideruar më 10 shtator të njëjtat raportime si “të pasakta”.

Mirëpo e përditshmja ruse, Kommersant, ka raportuar se informatori i dyshuar mund të ketë punuar si shërbyes civil i nivelit të lartë në adminstratën presidenciale, apo më herët në Ambasadën Ruse në Uashington.

Kjo gazetë e ka identifikuar personin si Oleg Smolenkov.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka konfirmuar se një person me po atë emër ka punuar në administratë, “mirëpo është shkarkuar nga pozita disa vjet më parë”.

Të dhënat publike nga administrata e qeverisë ruse më 2008 dhe 2010 flasin për një person të punësuar me atë emër në administratën e Putinit derisa ai ka qenë duke shërbyer si kryeministër gjatë periudhës 2008-2012. Më 2012, personi me mbiemër Smolenkov është ngritur në detyrë, sipas një urdhri të nënshkruar nga ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev.

Presidenti rus, Vladimir Putin.
Presidenti rus, Vladimir Putin.

Para pozitës në Moskë, Smolenkov ka punuar si sekretar i dytë në Ambasasën Ruse në Uashington, është thënë në një listë personale nga ajo kohë.

Ambasador në atë kohë ka qenë Yury Ushakov, i cili më vonë është kthyer në Moskë dhe është bërë zëvendës-shef i shtafit të Putinit dhe më pas këshilltar për politikë të jashtme.

The Times ka raportuar se CIA ka synuar ta nxjerrë informatorin e dyshuar nga Moska në fillim të vitit 2016 mirëpo ai ka refuzuar, duke cituar shqetësime familjare. Mirëpo gjërat kanë ndryshuar në pjesën e parë të vitit 2017, bazuar në këtë të përditshme, sepse rusi ka pranuar ofertën.

Emri i Smolenkovit përmendet sërish në të përditshmen online, Daily Storm, që ka raportuar se hetuesit rusë kanë nisur një hetim për vrasje pasi Smolenkov dhe familja e tij janë zhdukur teksa kanë qenë në Malin e Zi në qershor të vitit 2017.

Kommersant ka cituar zyrtarë të paidentifikuar të sigurisë të kenë thënë se hetimet për vrasje janë hapur dhe mbyllur disa herë.

Mediat kanë spekuluar se të njëjtit Oleg dhe Antonina Smolenkov – bashkë me tre fëmijët – që raportohet se janë zhdukuar në Moskë, kanë arritur të shkojnë në Shtetet e Bashkuara dhe të sigurojnë mbrojtje qeveritare.

Talley ka thënë se familja që ka jetuar matanë rrugës është zhvendosur nga veriu i Virxhinias.

Ai beson se njëri nga fëmijët ka ndjekur mësimet në shkollën e mesme, Mountain View High School, shumë afër shtëpisë.

Shkolla e mesme Mountain View.
Shkolla e mesme Mountain View.

Talley ka thënë se ka ftuar këtë familje që t’iu bashkohet fqinjëve tjerë për të shikuar fishekzjarret për të shënuar pavarësinë e SHBA-së më 4 korrik.

Mirëpo Talley dhe Clements kanë thënë se nuk besojnë që dikush që supozohet se punon si informator i CIA-s, do të mund të jetonte aq hapur në Shtetet e Bashkuara.

“Nëse ai është në anën tonë, pse udhëheqësi i tij do ta lejonte që ai ta vendoste shtëpinë në emrin e vet?, ka thënë Talley për Radion Evropa e Lirë.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG