Avokati i Popullit, i hapur për ankesa eventuale
Institucioni i Avokatit të Popullit ka njoftuar se do të mbajë të hapur Zyrën Qendrore në Prishtinë dhe zyrat regjionale për ankesat eventuale në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
“Zyra Qendrore dhe zyrat regjionale do të jenë të hapura nga ora 07:00 në mëngjes e deri në përmbyllje të procesit të votimit. Qëllimi i mbajtjes hapur të zyrave të Institucionit të Avokatit të Popullit gjatë procesit të votimit, ditën e zgjedhjeve, është pranimi i ankesave eventuale nga qytetarët, përkitazi me pretendimet për shkelje të votës apo cenim a keqpërdorim të të drejtave të garantuara me Kushtetutën e vendit dhe me ligjet në fuqi”, thuhet në njoftimin e Institucionit të Avokatit të Popullit.
Mbyllen vendvotimet
Nga ora 19:00 ka filluar mbyllja e vendvotimeve për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarët e komunave.
Mirëpo, edhe pas mbylljes së vendvotimeve, të gjithë atyre votuesve, të cilët kanë qenë duke pritur në rend për të votuar, iu është mundësuar kjo e drejtë.
Gara për të zgjedhur kryetarët e komunave, u zhvillua në 19 komuna.
Mbyllja e vendvotimeve
Partitë nuk i presin rezultatet e KQZ-së, nisin festimet
Ndonëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i ka shpallur rezultatet preliminare të votimeve për kryetarët e komunave, në disa prej komunave tashmë disa shtabe zgjedhore të partive politike ka nisur festat.
Në Gjakovë, po feston shtabi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke besuar se kandidati i AAK-së, Ardian Gjini ka fituar kundrejt kandidates nga Alternativa, Mimoza Kusari-Lila.
Kurse në Mitrovicë, festës po i prinë Agim Bahtiri, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të komunës së Mitrovicës jugore, i cili, nuk i ka pritur rezultatet e KQZ-së dhe ka shpallur fitoren në garë me Valdete Idrizin nga Partia Demokratike e Kosovës.
Ndërkohë, në Istog po feston Lidhja Demokratike e Kosovës, e bindur se kandidati i saj, Haki Rugova, ka fituar ndaj kandidatit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gani Dreshaj.
Facebook Forum