Prokuroria e Shtetit ka angazhuar 55 prokurorë për mbrojtjen e votës
Prokurori i Shtetit, përmes një njoftimi për media, ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës lidhur me procesin zgjedhor për balotazh.
“Prokurori i Shtetit, që nga ora shtatë e mëngjesit e ditës së sotme, në nëntëmbëdhjetë komunat e Republikës së Kosovës, ka angazhuar 55 prokurorë, të cilët do të përcjellin për së afërmi situatën gjatë procesit zgjedhor dhe janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë aty ku do të paraqiten pengesat në procesin zgjedhor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.
Engel: Kosova po voton në mënyrë demokratike
Anëtari i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eliot Engel, ka vizituar Qendrën e thirrjeve të koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, organizatë kjo që monitoron procesin zgjedhor.
Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë këtu gjithmonë për ju dhe unë personalisht do të bëj të njëjtën gjë.
Engel ka kujtuar se në vitin 1996 ishin bërë përpjekjet për organizimin e zgjedhjeve, mirëpo autoritet serbe, ka thënë ai, nuk e kishin lejuar të hyjë në Kosovë.
“Është shumë emocionuese që të vij të shoh duke u zhvilluar zgjedhjet në mënyrë të pavarur dhe demokratike, nuk e kemi këtë luks në çdo shtet. Disa nga shtet që nuk e përkrahin Kosovën nuk e kanë lirinë që njerëzit në Kosovë e kanë. Kështu që unë i gëzohem faktit kur një ditë Kosova do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, ka thënë ndër të tjera kongresisti Engel.
DNV-ja raporton parregullsitë e parë në procesin zgjedhor
Koalicioni i organizatave joqeveritare, “Demokracia në Veprim”, që monitoron procesin zgjedhor, në konferencën e parë për media ka raportuar për parregullsitë e para gjatë procesit zgjedhor.
Albert Krasniqi nga ky koalicion ka bërë të ditur se janë më shumë se 1500 vëzhgues nga "Demokracia në Veprim" që janë duke vëzhguar procesin zgjedhor.
“Ndryshe nga ajo çka ka raportuar KQZ-ja, ku të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë, vëzhguesit tanë kanë evidentuar vonesa në 12 vendvotime. Po ashtu, ka pasur mungesë të materialit zgjedhor në 60 vendvotime. Sa i përket pranisë së materialeve të fushatës zgjedhore në afërsi të perimetrit prej 100 metrash prej qendrës së votimit, janë evidentuar në 3 për qind të qendrave të votimit”, ka thënë Krasniqi.
Parregullsitë tjera të evidentuara nga vëzhguesit e DNV-së, sipas Krasniqi, kanë të bëjnë me votimin e disa personave jashtë kabinave të votimit, si dhe është raportuar për praninë e personave të paautorizuar në vendvotime.
Haradinaj: Mos e neglizhoni procesin, votoni
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ftuar qytetarët e Kosovës që të dalin në zgjedhje dhe mos të neglizhojnë procesin.
Pasi ka votuar në njërën nga qendrat e votimit në Prishtinë, ai ka thënë se raundi i dytë i votimit është moment i rëndësishëm po aq sa raundi i parë.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të të gjitha komunave që janë në balotazh të votojnë dhe të mos e neglizhojnë procesin. Rëndësia e daljes në votime është jashtëzakonisht e madhe. Kosovën e presin shumë punë. Ata që marrin përgjegjësi, duhet ta kenë legjitimitetin e qytetarëve”, ka thënë Haradinaj.
Facebook Forum