KQZ-ja konfirmon hapjen e të gjitha vendvotimeve
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve KQZ-së, Valdete Daka, në konferencën e parë për media, ka bërë të ditur se janë hapur me kohë të gjitha vendvotimet për raundin e dytë të zgjedhjeve që po zhvillohen në 19 komuna të Republikës e Kosovës.
“Në bazë të të dhënave të dërguara nga qendrat e votimit për të gjitha komunat e Republikës së Kosovës ku mbahen zgjedhjet, në orën 07:00 janë hapur me rregull të gjitha qendrat dhe votimit dhe vendvotimit", ka thënë Daka.
Policia garanton siguri gjatë procesit zgjedhor të balotazhit
Autoritetet e rendit në Kosovë kanë bërë të ditur se i kanë bërë përgatitjet e duhura për organizimin e zgjedhjeve lokale që mbahen sot.
“Me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, mbarëvajtjes së procesit zgjedhor për balotazh, do të angazhohen një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Daka fton qytetarët të votojnë
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka hedhur votën e saj në kutinë e votimit.
Ajo ka ftuar qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave.
“Sot po e përmbyllim procesin e zgjedhjeve lokale 2017. Shpresoj që edhe kjo ditë të kalojë sikur edhe raundi i parë në frymën demokratike dhe fer. Ftoj qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të dalin të votojnë”, ka thënë Daka.
Facebook Forum