Ndërlidhjet

BE-ja financon 7 projekte për nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit


Ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zbogar dhe ambasadori italian Carlo Romeo
Ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zbogar dhe ambasadori italian Carlo Romeo

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zbogar u ka drejtuar mesazh vendeve të Ballkanit Perëndimor, se bashkëpunimi ekonomik dhe ai politik mes tyre e shkurton rrugën e integrimit euro-atlantik.

Këto mesazhe, Zbogar i ka adresuar në prag të fillimit të Samitit të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Triestë të Italisë.

Përfaqësuesit e lartë të gjashtë vendeve të rajonit, bashkë me kolegët e tyre nga gjashtë vende anëtare të BE-së, më 12 korrik, në kuadër të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Triestë, pritet të fokusohen në krijimin e kushteve për stabiliteti ekonomik, shmangien e retorikës nacionaliste, zhvillimin e sigurisë në kuadër të shteteve të rajonit si dhe fuqizimin e rrjetit infrastrukturor dhe energjetik.

Ambasadori Zbogar tha për mediat në Shkup se Bashkimi Evropian do të financojë shtatë projekte për të nxitur bashkëpunimin ndërfqinjësor dhe ndërekonomik të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku bëjnë pjesë Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Zbogar tha se për realizimin e projekteve, në kuadër të tregut të përbashkët ballkanik, krahas krerëve shtetërorë dhe institucioneve përkatëse, do të angazhohen dhe sektori civil dhe kompanitë private.

Bashkimi Evropian planifikon t’i ndajë rajonit 1.3 miliardë euro deri në vitin 2020 për projekte të ndryshme që ndërlidhen me fushën e energjetikës, transportit dhe mbrojtjes së ambientit jetësorë”, tha Zbogar.

Ndërtimi i rrugëve, urave dhe lidhja e territoreve të ndryshme do të kontribuojë në zhvillimin e raporteve të mira ndërfqinjësore si dhe promovimin e paqes në funksion të zhvillimit ekonomik”, nënvizoi ai.

Ndërkaq, kryesuesi i këtij Samiti, ambasadori i Italisë në Shkup, Carlo Romeo ka sqaruar se këto procese dhe këmbime tregtare do të zhvillohen në kuadër të legjislacionit evropian, institucioneve ndërkombëtare financiare dhe Bankës Botërore.

Nga pikëpamja rajonale, prioritetet do të jenë: konsolidimi i demokracisë, stabiliteti social, ai ekonomik si dhe i sigurisë, tejkalim i ndarjeve të krijuara nga e kaluara si dhe shmangia e retorikës nacionaliste. Në kontekst të tejkalimit të sfidave mbetet siguria, lufta kundër terrorizmit, radikalizmit, migrimit dhe lufta kundër korrupsionit”.

Nga pikëpamja ekonomike, fokusi do të vendoset në përforcimin e rrjetit aktual dhe lidhja me rrjetin evropian në energjetik, zhvillim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, inovacione, investime në hapësirën rajonale ekonomike. Në sferën sociale krijohen më shumë mundësi për gjeneratat e reja, kohezionin social”, tha ambasadori Romeo.

Diplomatët evropianë thanë po ashtu se një rendësi e veçantë, në kuadër të Samitit të Triestës, do t’i kushtohet luftës kundër korrupsionit dhe sforcimit të sundimit të rendit dhe ligjit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG