Ndërlidhjet

Mijëra protestues kundër vizitës së Vuçiqit në Shqipëri


Pamje nga protesta e zhvilluar më 20 dhjetor në Tiranë.
Pamje nga protesta e zhvilluar më 20 dhjetor në Tiranë.

Mijëra persona kanë dalë nëpër rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës më 20 dhjetor, për të protestuar shkuarjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në këtë shtet.

Protesta është organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Në fjalën e mbajtur para protestuesve të mbledhur para kryeministrisë, Berisha tha se kjo protestë është kundër projektit “Ballkani i Hapur”, që sipas tij kërkon të kthejë hegjemoninë serbe në Ballkan.

“Ngrihemi në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, jemi mbledhur të protestojmë kundër projektit fantazmë të aleancës Beograd-Tiranë-Shkup. Dua të garantoj shqiptarët se kjo nuk është një protestë kundër bashkëpunimit rajonal. Kjo është një protestë kundër një projekti që është refuzuar nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova. Një projekt që nuk synon gjë tjetër veçse vendosjen e hegjemonisë serbe në rajon”, tha Berisha.

Protestuesit kanë djegur një flamur të Serbisë, që ishte vendosur në një shtyllë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Ata u shpërndanë të qetë.

Vuçiq arrin në Shqipëri për të marrë pjesë në takimin e radhës të nismës për bashkëpunim rajonal, “Ballkani i Hapur”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të jetë nikoqir i presidentit serb Vuçiq dhe i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Vendimi i Berishës për organizimin e kësaj proteste erdhi pas një përçarjeje brenda Partisë që ai ka themeluar, kur u përjashtua nga kryesia e saj pasi u shpall person i padëshirueshëm nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Përmes një referendumi të mbajtur ditën e shtunë, ku u tha se 43,385 anëtarë të Partisë Demokratike votuan për largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i kësaj partie, Berisha tha se me protestën e sotme “do të fillojë opozitarizmi në Shqipëri”.

Në një postim në Facebook më herët gjatë ditës, Berisha ka listuar arsyet pse ka thirrur këtë protestë, duke thënë ndër tjerash se Vuçiq është “është ministër i (ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan) Millosheviqit dhe se ai akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga Serbia dhe vazhdon të ndjekë politikën e shefit të tij”.

“Kosova ka akoma plagë të hapura për të cilat Vuçiq është nga përgjegjësit kryesorë. Përveç kësaj, ai edhe mohon krimet, masakrat dhe gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës në luftë, andaj nuk është i denjë që të pritet në Tiranë e aq më pak që të bashkëpunohet me të”, shkroi Berisha në një nga arsyet e tij.

Në anën tjetër, gjatë ditës së hënë, ndërtesa e kryeministrisë është “blinduar” me dyer të hekurta dhe nga Policia e Shtetit bëhet e ditur se do të ketë masa të shtuara të sigurisë nëpër gjithë kryeqytetin e Tiranës.

Sipas agjendës së publikuar, më 20 dhjetor Rama, Vuçiq dhe Zaev do të marrin pjesë në një darkë zyrtare në Elbasan, ku pritet të jetë i pranishëm përfaqësuesi i Këshillit Atlantik Jim O’Brien si dhe Alex Soros, drejtuesi i fondacionit "Shoqëri e Hapur".

Ndërkaq, më 21 dhjetor, tre liderët do të zhvillojnë takim në Tiranë dhe në këtë takim, përmes video-lidhjes do të marrë pjesë edhe Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.

Ndryshe, në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut dhe kjo iniciativë u iniciua nga krerët e këtyre shteteve në tetor të vitit 2019.

Fillimisht kjo nismë u quajt “Mini-Shengen” dhe parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve.

Në korrik të këtij viti, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri, “Ballkani i Hapur”.

Në nismën “Ballkani i Hapur” nuk bëjnë pjesë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

Udhëheqësit në Kosovë argumentojnë se kjo nismë është e dëmshme, nuk është e ndërtuar mbi parimet themelore të bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe nuk pranon trajtimin e barabartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG