Ndërlidhjet

Pse mund të vazhdojnë përballjet e rrezikshme ushtarake mes SHBA-së dhe Kinës?


Presidenti i SHBA-së, Joe Biden (djathtas), dhe presidenti i Kinës, Xi Jingping (majtas), gjatë një takimi të G20-tës në Bali, më 14 nëntor 2022.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden (djathtas), dhe presidenti i Kinës, Xi Jingping (majtas), gjatë një takimi të G20-tës në Bali, më 14 nëntor 2022.

Reuters

Një luftanije kineze iu afrua për vetëm rreth 140 metra një luftanije amerikane në ngushticën e Tajvanit më 3 qershor dhe e detyroi ta ngadalësonte shpejtësinë. Kjo ishte hera e dytë brenda vetëm pak ditëve kur personelet ushtarake të Kinës dhe SHBA-së iu afruan një incidenti të madh.

Në fund të muajit të kaluar, një avion luftarak kinez fluturoi para një aeroplani luftarak amerikan mbi Detin e Kinës Jugore, incident për të cilin SHBA-ja e kritikoi Kinën.

Pas incidentit me anijet luftarake më 3 qershor, Shtëpia e Bardhë e akuzoi Kinën për “agresivitet në rritje”. Kina ka thënë se aktiviteti i tillë ushtarak i SHBA-së në ujërat ndërkombëtare është “provokim i qëllimshëm i rrezikut”.

Ja pse mund të vazhdojnë këto përballje të kohëve të fundit mes ushtrive amerikane dhe kineze:

Kina kundërpërgjigjet

Nën qeverisjen e presidentit Xi Jinping, Kina ka nisur atë që zyrtarët amerikanë thonë se është një nga investimet më të mëdha ushtarake në kohë paqeje, në histori të njerëzimit.

Pekini po i përdor aftësitë e veta ushtarake dhe ndikimin ekonomik për ta shtyrë mbrapsht dominimin ushtarak prej dekadash të SHBA-së në Azi. Kina e konsideron SHBA-në si një të huaj që ndërhyn në një rajon, në të cilin e sheh veten si një forcë për paqe dhe stabilitet.

Diçka që po nxit shumë tensione janë patrullimet e “lirisë së lundrimit”, sipas së cilës SHBA-ja dhe aleatet e saj lundrojnë përmes ngushticës së Tajvanit dhe Detit të Kinës Jugore.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se patrullimet e tilla janë brenda së drejtës së të gjitha vendeve për të lundruar në ujërat ndërkombëtare.

Kina është ankuar për anijet dhe avionët e SHBA-së në ngushticën e Tajvanit dhe pranë ishujve që ajo kontrollon apo i ka kthyer në instalime ushtarake në Detin e Kinës Jugore. Marina e Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLAN) zakonisht u shkon pas anijeve amerikane.

Disa analistë thonë se komandantët ushtarakë kinezë janë inkurajuar të veprojnë me më shumë vendosmëri kundër anijeve dhe avionëve të huaj ushtarakë.

“Unë mendoj se ajo që po shohim ka të ngjarë të jetë një inkurajim i përgjithshëm, ndoshta edhe një skemë nxitëse për komandantët e njësive që të jenë agresivë kur të paraqitet mundësia, dhe kjo gjë është duke inkurajuar sjellje më të pamatur”, tha Jennifer Parker, një eksperte e mbrojtjes në Institutin Australian të Politikave Strategjike.

Gjatë incidenteve të tjera të kohëve të fundit në Detin e Kinës Jugore ka pasur raste si ai i një anijeje të rojës bregdetare kineze që drejtoi një “laser të shkallës ushtarake” drejt një anijeje filipine në shkurt, dhe kërkesës së muajit të kaluar nga Vietnami që Pekini t’i heqë anijet e vëzhgimit nga ujërat e tij.

Kina tha se këto incidente ishin të ligjshme dhe normale.

Ministria kineze e Mbrojtjes nuk i ka komentuar pretendimet se po inkurajonte sjellje më agresive nga njësitë ushtarake të saj.

Kjo qasje rrit gjasat e një përplasjeje, që mund të çojë në një konflikt të armatosur, thotë Derek Grossman, analist i lartë i mbrojtjes në institutin amerikan, RAND Corporation.

“Për mendimin tim, ky është skenari numër 1 që i çon SHBA-në dhe Kinën në luftë, dhe më pak [gjasa që të shkaktohet nga] Pekini që pushton territor në Detin e kontestuar të Kinës Jugore ose të sulmojë Tajvanin”, tha ai.

Kush po i nxit tensionet?

Situatën e bëjnë më të rrezikshme pikëpamjet krejtësisht të ndryshme të SHBA-së dhe Kinës për burimin e problemit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se Kina po rrezikon status quo-në me kërcënimet ndaj Tajvanit, ishullit të vetëqeverisur që Kina e pretendon si të sajin, dhe me pretendimet e saj territoriale ndaj Detit të Kinës Jugore.

Përgjigjja e SHBA-së është të vazhdojë ta shfrytëzojë të drejtën e saj për të lundruar dhe fluturuar pranë Kinës.

Partia Komuniste në pushtet e Kinës i sheh këto veprime të SHBA-së si provokuese dhe beson se dëshira për dominim ushtarak nga SHBA-ja është shkaku i vërtetë i rreziqeve në rajon, tha Tong Zhao, një studiues në Shkollën e Marrëdhënieve Publike dhe Ndërkombëtare të Universitetit Princeton.

“Zyrtarët kinezë në përgjithësi nuk i shohin sjelljet e vetë Kinës si kontribuuese në rrezik”, tha ai.

“Dhe, për këtë arsye, logjika e tyre është që Kina mund ta zvogëlojë rrezikun vetëm duke rritur masat e saj ushtarake për t'u përballur me sjelljet agresive të SHBA-së dhe për t'i bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ndihen vërtet të shqetësuara nga incidentet”, shtoi Zhao.

Zero komunikim

Këtyre ua shtojmë edhe një problem tjetër: mungesën e kanaleve të besueshme të komunikimit mes dy ushtrive.

Ushtria amerikane ka shtyrë prej kohësh Kinën drejt krijimit të linjave të hapura të komunikimit me ushtrinë kineze – si në nivele të larta, ashtu edhe në nivele më të ulëta – për ta zbutur rrezikun që aksidentet të shndërrohen në përplasje ushtarake.

Nga ana tjetër, liderët e Kinës kanë qenë të ngadaltë në vendosjen e kontakteve ushtarake dhe të shpejtë në mbylljen e tyre gjatë periudhave të tensionit diplomatik, thonë zyrtarët amerikanë.

Kina pezulloi disa diskutime ushtarake të nivelit të lartë me Pentagonin pas vizitës së ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, në Tajvan verën e kaluar dhe refuzoi një kërkesë të SHBA-së për një telefonatë ndërmjet shefave të mbrojtjes të të dyja vendeve pas rrëzimit të balonës së spiunazhit kinez në hapësirën ajrore të SHBA-së këtë vit.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane, duke folur në kushte anonimiteti, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se, që nga viti 2021, Kina kishte refuzuar ose nuk u ishte përgjigjur dhjetëra kërkesave për bisedime me Pentagonin.

Përgatiti: Doruntina Baftiu

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG