Një avion me 62 njerëz në bord është rrëzuar të premten në një zonë banimi të një qyteti në Sao Paulo të Brazilit, njoftoi kompania ajrore. Nuk është e qartë se sa njerëz kanë vdekur apo janë lënduar.
Kompania ajrore braziliane, VoePass, e konfirmoi se një avion që po udhëtonte drejt aeroportit ndërkombëtar të Sao Paulos u rrëzua në qytetin Vinhedo.
Në bordin e avionit ishin 58 udhëtarë dhe 4 anëtarë të ekuipazhit, tha ajo.
Kjo kompani nuk tregoi se çfarë mund ta ketë shkaktuar rrëzimin e avionit.
Brigada e zjarrfikësve në Sao Paulo konfirmoi në rrjetet sociale se një avion është rrëzuar në Vinhedo, dhe se ajo i ka dërguar katër ekipe zjarrfikësish në vendin e ngjarjes.
Duke folur në një ngjarje në jug të Brazilit, presidenti brazilian Luiz Lula da Sivla i kërkoi turmës të ngrihej në këmbë dhe të mbante një minutë heshtje.
Ai tha se duket se të gjithë udhëtarët dhe anëtarët e ekuipazhit kanë vdekur, pa shpjeguar se si e ka marrë këtë informatë.
Video të publikuara në rrjetet sociale shfaqën një avion duke rënë në një grumbull pemësh.