Ndërlidhjet

AAC për rastin e Osmanit: Shërbimet e Aeroportit të Shkupit vepruan në mënyrë profesionale


Aeroporti i Shkupit, fotografi ng arkivi.
Aeroporti i Shkupit, fotografi ng arkivi.

Shërbimet në Aeroportin e Shkupit, përgjegjëse për kontrollet e sigurisë, kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe në bazë të standardeve ndërkombëtare, u tha në raportin e Agjencisë së Aviacionit Civil (AAC) të Maqedonisë së Veriut. Presidenca e Kosovës ka reaguar për këto gjetje, duke akuzuar Maqedoninë e Veriut për shkelje të praktikave dhe konventave ndërkombëtare.

Kjo agjenci tha se rishikoi të gjitha dëshmitë që lidheshin me incidentin e 1 gushtit ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas raportit, është konstatuar se shërbimet e aeroportit që janë përgjegjëse për kontrollet e sigurisë kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe u janë përmbajtur rregullave që zbatohen ndërkombëtarisht, duke mos lejuar anashkalimin e standardeve dhe procedurave, qoftë edhe nën presionin e personave që shoqërojnë pasagjerët.

“Refuzimi për të kryer kontrollet standarde të sigurisë me të njëjtët pasagjerë, sipas të dhënave, ka ndodhur edhe në vitin 2022 dhe 2023 kur kontrollet e sigurisë u pranuan vetëm pasi piloti i avionit kishte refuzuar të pranojë pasagjerë në avion pa u kryer një kontroll sigurie”, u tha në deklaratën e AAC-së.

Çfarë tha Presidenca për incidentin në aeroport?

Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se, gjatë 1 gushtit, presidentes Vjosa Osmani është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit (TAV).

Incidenti ka ndodhur para udhëtimit të planifikuar të Osmanit drejt Sllovenisë, ndërsa Presidenca e Kosovës nuk ka bërë të ditur nëse qëllimi i udhëtimit të saj ka qenë zyrtar apo i natyrës private.

Presidenca kosovare ka thënë se përkundër se i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, sigurimi “ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten, me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.

Ky institucion po ashtu ka thënë se ndodhitë e 1 gushtit nuk mund të vlerësohen ndryshe, veçse “një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.

Presidenca e Kosovës tha më 2 gusht se në vend se të kërkojë falje, MPB-ja maqedonase “ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të presidentes së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale”.

AAC-ja tha se zyrtarët e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit nëse do të vepronin ndryshe nga rregullat e përcaktuara dhe do të lejonin lëshime dhe shmangie të procedurave të parapara, do të përballeshin me ndëshkime të ashpra nga agjencia, që është trup përgjegjës për rregullimin e tyre.

Kjo agjenci tha se si trup i pavarur dëshiron të qëndrojë larg përplasjeve politike lidhur me këtë ngjarje dhe shprehu keqardhje që në vend të zgjidhjes profesionale të këtij incidenti, do të nxirren mësime dhe do të ndërmerren masat adekuate për shmangien e tyre në të ardhmen.

“Ne jemi dëshmitarë të përpjekjeve për përfitime të poenëve politikë dhe për të shtrembëruar arsyen e vërtetë të kësaj ngjarjeje”, u tha në deklaratë.

Presidenca e Kosovës ka thënë se e Osmanit ishte tentuar t’i merrej telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit, në kundërshtim të, siç ka thënë, praktikave ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.

Ky institucion e ka cilësuar si “provokim” ngjarjet e ndodhura në Aeroportin e Shkupit, përderisa autoritetet maqedonase kanë shprehur keqardhje për ngjarjen dhe kanë nisur hetimin për të.

Pas publikimit të gjetjeve të Agjencisë së Aviacionit Civil maqedonas, ka reaguar Presidenca e Kosovës. Sipas këtij institucioni, në asnjë vend të botës, kreut të shtetit nuk i kërkohet t’i kontrollohet bagazhi personal, e as çanta personale, “e lëre më telefoni personal”.

Ky institucion tha se nga dhjetëra vende të botës që ka vizituar presidentja Osmani, vetëm aeroportet në Maqedoninë e Veriut refuzojnë të aplikojnë praktikat dhe konventat ndërkombëtare sa i përket kreut të një shteti.

“Republika e Maqedonisë së Veriut ka shkelur rregullat ndërkombëtare që aplikohen çdo kund në botë duke kërkuar skanimin e telefonit të presidentes së një shteti tjetër, gjë që do të paraqiste potencial për cenim të sigurisë kombëtare”, u tha në reagim.

Presidenca tha se Osmani nuk është kthyer nga vizita e saj jashtë vendit përmes Aeroportit të Shkupit pasi ekipi i saj i sigurisë “ka vlerësuar se pas propagandës marramendëse nuk ekzistojnë as kushtet bazike të sigurisë për një gjë të tillë”.

Po ashtu, më herët ka deklaruar Presidenca kosovare menjëherë kishte njoftuar për incidentin kryeparlamentarin e Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Më 1 gusht, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se në Aeroport kishte shkuar një pjesëtar i sigurimit të Gashit, që ishte polic, "me dy persona të tjerë [policë] dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e Aeroportit dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes".

Gashi më pas deklaroi se ndërhyrja e tij kishte për qëllim vetëm parandalimin e një incidenti diplomatik.

Përderisa nga zyra e Osmanit e kanë cilësuar si provokim këtë ngjarje dhe kanë thënë se ka pasur shkelje të praktikave ndërkombëtare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite në Shkup më 5 gusht tha se po pret raportin zyrtar që do të përpilohet pasi autoritetet të kryejnë hetimet e nevojshme për këtë ngjarje.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë raporte diplomatike dhe deri më tani nuk kanë pasur incident të kësaj natyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG