Ndërlidhjet

ATK prezanton shkallët e reja tatimore për paga


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka bërë të ditur të martën se pas hyrjes në fuqi të Ligjit për pagën minimale, do të ndryshojnë edhe shkallët tatimore, varësisht prej pagës.

Ligji për pagën minimale ka dalë në Gazetën Zyrtare më 23 gusht, që nënkupton se prej asaj dite ka nisur të zbatohet.

Ligji parasheh që paga minimale të arrijë vlerën e 264 eurove bruto për të gjithë të punësuarit në sektorin publik e privat.

Deri në fuqizim të Ligjit të ri, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

ATK-ja ka thënë se me ndryshimin e shkallëve tatimore, nuk do të ketë tatim në pagë deri në shumën 250 euro, nga 80 euro sa ishte deri më tani.

Për pagat prej 251 euro deri në 450 euro, tatimi në pagë do të jetë 8 për qind, ndërsa për pagat mbi 450 euro do të jetë 10 për qind.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ndryshimet e reja nënkuptojnë që “të gjithë të punësuarit, qoftë në sektorin publik apo privat, do të paguajnë më pak tatim për shkak se rritet vlera e pagës që lirohet nga tatimi”.

Ligji për Pagën minimale ka kaluar në dy lexime në Kuvend, të parim më 14 qershor 2022 dhe në lexim të dytë më 13 korrik të vitit 2023, si dhe është rishikuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, pas kundërshtimeve të partive opozitare.

Deri më tani, Kosova e ka pasur pagën minimale më të ulët në Evropë, 170 euro, ndërsa Luksemburgu më të lartën, 2.571 euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG