Ndërlidhjet

Jahjaga: Pandemia mbylli viktimat e dhunës në familje me abuzuesit


Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga

Ish- presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se pandemia COVID-19 e ka përkeqësuar gjendjen e viktimave të dhunës me baza gjinore.

Kështu komentoi ajo në një diskutim të organizuar nga Grupi i Grave për Politikë të Jashtme, ku ishte ftuar të flasë në cilësinë e ish-presidentes dhe drejtueses të fondacionit “Jahjaga” që është marrë me çështjen e të drejtave të grave, dhunës në baza gjinore dhe dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Për viktimat e dhunës me bazë gjinore [pandemia] ishte një barrë më e madhe se për ne të tjerët pasi ato ishin të mbyllura brenda me dhunuesit e tyre pa asnjë mundësi për t'i shpëtuar dhunës”, tha Jahjaga.

Jahjaga potencoi se është e rëndësishme që Kosova dhe vendet e tjera të përfshijnë dhunën me bazë gjinore në strategjitë për reagimin ndaj sfidave që i sjell pandemia COVID-19, “me plane konkrete veprimi për parandalimin dhe zbutjen e këtij fenomeni”.

Ky diskutim u mbajt në përmbylljen e 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës ndaj grave, derisa më 25 nëntor u shënua dita ndërkombëtare kundër kësaj dhune.

Ish-presidentja përmendi bllokimin e sistemit gjyqësor dhe vonimin e trajtimit të rasteve të dhunës në baza gjinore në gjykata si shtysë në përkeqësimin e këtij fenomeni.

“ Kjo nuk duhet të ndodhë më pasi një vonesë në proces do të thotë vonesë në qasjen në drejtësi për viktimat e dhunës me bazë gjinore”, tha ajo.

Rikujtojmë se sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjatë periudhës janar - tetor, 2021, ky institucion ka pranuar 1,028 raste të dhunës në familje, ndërsa ka zgjidhur 711.

Në Kosovë, gratë përbëjnë shumicën e viktimave të dhunës në familje.

Sipas të dhënave të policisë, deri në shtator të vitit 2021, si viktima të dhunës në familje janë raportuar 1,437 gra dhe 408 burra.

Çdo vit, që nga 2018-ta, së paku 1,000 gra janë raportuar si viktima të dhunës në familje.

Radio Evropa e Lirë më 25 nëntor ka publikuar rrëfime të disa grave që janë rrahur e keqtrajtuar nga bashkëshortët apo partnerët. Ato porosisin që rastet e dhunës të raportohen tek organet e rendit që në fillimet e tyre.

Rrëfimet mund t’i lexoni në këtë link.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG