Dushan Stojanoviq nga Rahoveci dhe Kerim Pervizaj nga Prizreni kanë një gjë të përbashkët: janë dy të rinj me arsimim të lartë që nuk gjejnë punë në profesionet e tyre, por merren me zanate që janë trashëgimi familjare.
Rahoveci dhe Prizreni janë qytete në jugperëndim të Kosovës, rreth 40 kilometra larg nga njëri-tjetrit.
Dushani dhe Kerimi thonë për Radion Evropa e Lirë se shpesh ndihen “të zhgënjyer dhe të poshtëruar” që nuk mund të bëjnë atë për të cilën janë shkolluar për vite të tëra. Ata ndihen të mllefosur me sistemin.
Dushan Stojanoviq ka përfunduar studimet themelore dhe pesë vjet më vonë ka arritur titullin master në Inxhinierinë e Mbrojtjes në Punë. Ai u përpoq që të gjejë punë në këtë profesion dhe iu drejtua institucioneve të ndryshme të Kosovës, por edhe atyre që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë. Megjithatë, përpjekjet e tij nuk dhanë fryte.
“Disa nga bashkëmoshatarët e mi më thonë se jam shkolluar kot, gjë që është shumë e vështirë për mua. Mjaft prej tyre janë martuar, kanë gjetur punë edhe me shkollë të mesme, ndërkaq unë as njërën e as tjetrën”, rrëfen ai për Radion Evropa e Lirë.
Studime master dhe poçaria
Megjithatë, ky 30-vjeçar nuk rri pa punë. Ai i është kthyer zanatit familjar dhe bashkë me babanë e tij prodhojnë enë nga argjila. Ai i takon gjeneratës së pestë në familjen Stojanoviq, që merret me poçari.
Ai shpjegon se kjo lloj pune kërkon durim, sepse duhen disa orë që produkti i argjilës të thahet, më pas të lyhet dhe pastaj të piqet në furrë të veçantë.
Dushani e mësoi këtë zanat nga babai i tij që në fëmijëri dhe thotë se edhe nëse do të gjente punë me profesionin e tij, sërish do të vazhdonte të merrej me poçari.
Të njëjtin fat e ndan edhe Kerim Pervizaj, i cili aktualisht merret me punimin e llamarinës. Në vitin 2019, ai ka diplomuar në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe ka diplomën për trajner futbolli. Por, nuk ka gjetur punë sipas profesionit të tij.
Të rinjtë po largohen nga Kosova për shkak të “padrejtësisë”
“Kam përjetuar poshtërime të shumta kur jam përpjekur të gjej një punë si profesor për edukimin fizik, këtu në Prizren. Pranohen persona me kualifikim profesional më të ulët se i imi. Kot u përpoqa të dëshmoja padrejtësinë. Nuk ia dola”, thotë Kerimi për Radion Evropa e Lirë.
Ai tregon se është i martuar dhe duhet të punojë diçka për të mbajtur familjen.
Dushani dhe Kerimi thonë se një numër i madh i të rinjve në Kosovë përballen me probleme të ngjashme dhe se ka edhe nga ata që vendosin të kërkojnë një jetë më të mirë në vendet perëndimore.
“Këtu nuk ka perspektivë dhe ndihem i poshtëruar. Numri më i madh i bashkëmoshatarëve të mi ka shkuar drejt një jetë më të mirë dhe kanë pasur sukses. Sipas të gjitha gjasave, do të më duhet edhe mua që të bëj të njëjtën gjë, ndonëse kam qenë kundër kësaj. Pse jemi shkolluar? Kam shpenzuar prindërit dhe për vite të tëra nuk mund t’ua kompensoj investimet e tyre e lëre më që të fitoj diçka”, thotë Dushani.
“Një hap para dhe dy prapa – e tillë është situata këtu. Profesionistët e rinj po ikin sepse nuk mund të gjejnë punë ose marrin pagë minimale. Kushëriri im merrte këtu 400 euro dhe tani [në Gjermani] 3.000 euro. Me zemër të vrarë, por do të më duhet edhe mua të shkoj jashtë vendit”, përfundon Kerimi.
Dushani dhe Kerimi thonë u pëlqejnë zanatet familjare, por duan të gjejnë edhe punën për të cilën janë arsimuar dhe të japin një kontribut më të madh në shoqëri.
“Nuk dëgjohet zëri i profesionistëve”
Sociologu Ismail Hasani beson se të rinjtë në Kosovë e kanë të vështirë të gjejnë punë në profesionet e tyre, sepse nuk po krijohen vende pune në përputhje me trendët e reja dhe shton se është e nevojshme të përmirësohet edhe politika sociale.
Ai vlerëson se në qoftë se nuk ndryshon diçka, atëherë të rinjtë gjithnjë e më shumë do të detyrohen që të shkojnë në Perëndim, përmes “rrugëve të paligjshme”.
Kosova ende nuk ka liberalizim të vizave. Qytetarët e saj nuk mund të lëvizin lirshëm dhe as nuk mund të punojnë në vendet e Bashkimit Evropian.
Hasani thotë se ka njerëz që janë të gatshëm të “paguajnë” për të ikur nga Kosova, sepse besojnë se “atje diku” i pret një e ardhme më e mirë.
Ai thekson se trendi i largimit të të rinjve është “i trishtueshëm” për shoqërinë kosovare dhe kujton se deri para disa vitesh, të rinjtë përbënin rreth 60 për qind të popullsisë së përgjithshme.
Hasani shprehet se as ai vetë nuk do të “hidhërohej” në qoftë se fëmijët e tij ose nipërit do të vendosnin që ta braktisin Kosovën, sepse, siç thotë ai, “zëri i profesionistëve nuk dëgjohet”.
Sa ka me arsimim të lartë?
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e dytë të vitit 2021, pak më shumë se 95.000 qytetarë të moshës 15 deri në 64 vjeç kanë qenë të papunë.
Nga 40 për qind e të rinjve që kërkonin punë, 15 për qind kishin arsimim të lartë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit të Qeverisë së Kosovës, në vitin akademik 2021/2022, studimet bazë apo bachelor kanë ndjekur rreth 42.000 studentë, në nëntë universitete publike.
Nga ky numër, 6.200 studentë diplomuan në nivelin bachelor, në vitin e kaluar.
Në të njëjtën periudhë, studimet master i ndoqën rreth 8.400 persona dhe diplomuan 1.659 prej tyre.
Sa i përket studimeve të doktoratës, në vitin 2021/2022 në Universitetin e Prishtinës janë regjistruar 328 persona, prej tyre 30 kanë doktoruar.
Ndërkaq, në fakultete private, janë rreth 29.000 studentë.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë së Kosovës me pyetjen se a po bëhet diçka për të luftuar problemin e papunësisë te personat me arsimim të lartë, por deri në publikimin e këtij teksti nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.
Në një deklaratë të mëhershëm për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se është formuar Komisioni për zhvillimin e sistemit të arsimit dhe aftësimit profesional, sipas nevojave të tregut të punës.