Një grup i artistëve nga Kosova janë ndaluar për rreth tri orë nga policia kufitare e Serbisë, në pikën në Merdare dhe më pas janë liruar. Ata ishin nisur të merrnin pjesë në festivalin "Mirëdita, Dobar Dan", i cili mbahet në Beograd, nga data 30 maj deri më 2 qershor.
Kushtrim Koliqi, drejtor i organizatës joqeveritare “Integra”, njëra nga organizatat që realizojnë festivalin, tha për Radion Evropa e Lirë se si pretekst i ndalesës ishin disa fotografi të këngëtares Eliza Hoxha, në të cilat shiheshin flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë. Këto fotografi janë cilësuar të papranueshme, edhe pse ato ishin paraparë të ekspozohen në kuadër të festivalit në Beograd.
Koliqi tha se këto “kontrolle të rrepta dëshmojnë se marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel për lëvizje të lirë në mes dy shteteve nuk vlejnë asgjë”.
Festivali “Mirëdita, Dobar Dan”, që sivjet mbahet për të pestin vit rresht, sjell artistë, gazetarë dhe figura publike nga Kosova në Beograd, për tu takuar me anëtarë të shoqërisë civile në Serbi dhe organizata kulturore.
Në lidhje me këtë ndalesë, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Autoritetet serbe me aktin e ndalesës në kufi të artistëve kosovarë, të ftuar në festivalin “Mirëdita, Dobar Dan” në Beograd, po rrënojnë edhe ato pak mundësi për vendosjen e një komunikimi normal me Kosovën, qoftë edhe përmes artit, si gjuhë universal”, thuhet në reagimin e kryeministrit Haradinaj.
“Artistët dhe të rinjtë nga Kosova po i nënshtrohen bastisjes së rreptë në kufi me Serbinë, ku policia serbe ua ka bërë me dije se dy ekspozita nuk do të lejohen për shkak të përmbajtjeve artistike të tyre. Me pengimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe ideve, Serbia po e minon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është në kundërshtim me frymën dhe vlerat”, ka thënë Haradinaj.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ndalimin e forografive të Eliza Hoxhës, e ka quajtur veprim të ulët të shtetit serb.
“Në Merdare ndalohen artistët kosovarë, duke shkuar në Beograd për të dhënë mesazhe të dialogut e komunikimit. Ajo që i ndodhi sot Eliza Hoxhës, e cila vetëm pak ditë më parë prezantoi Kosovën në Bienalen e Venecias, është veprim i ulët i shtetit serb. Në Beograd sulmohet brutalisht edhe intelektuali me famë botërore, Bernard Henri Levi, sepse mbrojti kauzën për liri të popullit të Kosovë më 1999. Atje ende kanë frikë nga e vërteta dhe arti. Por, fuqia e artit është më e madhe sesa ndalesat kufitare”, ka shkruar Veseli në Facebook .
Për këtë ndalesë ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj. Në një postim në Twitter ai ka shkruar se “skena të turpshme në kufi, pasi autoritetet e Serbisë po keqtrajtojnë artistë të Kosovës që udhëtojnë për në Beograd”.
“Ne kërkojmë nga qeveria serbe që menjëherë të ndërpresë abuzimin e qytetarëve tanë ose do të marrim masa reciproke. Marrëdhëniet nuk mund të jenë normale nëse ndalojnë artistët të marrin pjesë në ekspozita” ka thënë Hoxhaj.
Ky festival ishte krijuar për të dhënë kontribut në normalizimin e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, një funksion që e ka kryer me liri relative deri tash.
Por, edhe vitin e kaluar u ishte ndaluar pjesëmarrja ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga e cila ishte ftuar aty për të promovuar librin, ”Dua të dëgjohem” - Libri i kujtimeve me tregime të grave që kanë përjetuar dhunë në luftën e fundit në Kosovë.
Edhe sportistët e Kosovës në dy raste brenda këtij viti, nuk kanë arritur të marrin pjesë në gara me karakter ndërkombëtar, të cilat janë organizuar në Serbi, nën patronazhin e federatave përkatëse evropiane.
Ndeshja kualifikuese në kategorinë e femrave në grupmoshën nën 20 vjeç, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ishte paraparë të mbahej më 23 mars në Beograd, e vlefshme për Kampionatin Botëror të Hendbollit që do të mbahet në Hungari, nuk është zhvilluar pasi që atë e kanë penguar autoritetet e Serbisë.
Kurse në muajin e kaluar përfaqësueses së Kosovës në Karate, dy herë radhazi i është ndaluar hyrja në Serbi nga autoritetet e këtij shteti, për të udhëtuar drejt Novi Sadit, ku do të mbahet Kampionati Evropian i Karatesë, prej 10 deri më 13 maj.