Ndërlidhjet

Arrestime në Zvicër gjatë protestave të frymëzuara nga trazirat në Francë


Fotografi ilustruese nga protestat në Marsejë të Francës, më 1 korrik 2023.
Fotografi ilustruese nga protestat në Marsejë të Francës, më 1 korrik 2023.

Gjashtë adoleshentë u arrestuan pas trazirave në qytetin zviceran të Lozanës, të frymëzuar nga trazirat në Francë, tha policia zvicerane më 2 korrik.

Më shumë 100 të rinj raportohet se dëmtuan dyqanet në qendër të qytetit zviceran.

Edhe pse intensiteti i dhunës ishte ndjeshëm më i ulët sesa në Francë, edhe në Lozanë u hodhën gurë dhe u thyen xhamat e objekteve gjatë natës. Një dyqan atletesh është dëmtuar veçanërisht shumë.

Përveç gjashtë të rinjve, në qytetin frëngjishtfolës zviceran u arrestua edhe një i rritur.

Ndërsa, në Francë u regjistrua nata e pestë radhazi e trazirave pas vrasjes së një 17-vjeçari nga një polic gjatë një ndalimi trafiku. Vetëm gjatë natës së fundit, në Francë u arrestuan gati 800 persona, ndërsa një natë më parë ishin arrestuar 1.311 të tjerë.

“Duke u bërë jehonë të ngjarjeve dhe trazirave që shpërthyen në Francë, më shumë se 100 të rinj u mblodhën në qendër të Lozanës dhe dëmtuan bizneset”, tha policia e Lozanës në një deklaratë.

Dhuna filloi “pas disa thirrjeve në rrjete sociale”, tha policia dhe “disa xhama dyqanesh u thyen”.

“Në shumë raste, oficerëve të policisë u desh të shpërndanin të rinjtë agresivë, të maskuar, që po gjuanin me gurë dhe koktej Molotovi”, tha policia.

Rreth 50 policë u dislokuan për shpërndarjen e të rinjve. Asnjë prej tyre nuk u lëndua.

Të arrestuarat ishin tri vajza, të moshës 15 dhe 16 vjeçe – një boshnjake, një portugeze dhe një shtetase somaleze; tre djem të moshës 15 deri në 17 vjeç – një shtetas zviceran, një gjeorgjian dhe një shtetas serb; si dhe një zviceran 24 vjeç.

“Mjaft qartë, ajo që del nga ajo që kemi parë është se këta të rinj gjatë natës u frymëzuan nga situata në Francë”, tha një zëdhënës i policisë së Lozanës për AFP.

Pierre-Antoine Hildbrand, këshilltari i Lozanës që mbajti konferencën e sigurisë, i tha transmetuesit publik zviceran RTS se “asgjë nuk i justifikon këto përpjekje të organizuara për t’i plaçkitur dyqanet”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG