Policia e Kosovës konfirmoi se ka arritur në tetë numri i të arrestuarve lidhur me sulmin ndaj saj në Banjskë më 24 shtator.
Sipas një njoftimi, dy personave të arrestuar më 25 shtator në një hotel në Banjskë u janë “konfiskuar disa mjete dhe arsenal armësh”.
“Pas arrestimit të dy sulmuesve terroristë me armë zjarri ndaj zyrtarëve policorë, arrestimit të katër personave të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terrorist, si dhe arrestimit të dy personave të dyshuar, me datën 25.09.2023 numri i të arrestuarve deri më tani ka arritur në tetë persona”, u tha në njoftim.
Sipas Policisë, gjatë arrestimit në Banjskë më 25 shtator, të dyshuarve iu konfiskua një veturë e blinduar, dy vetura dhe një makineri e rëndë (bager), të cilat, sipas autoriteteve të rendit kanë qenë të mbushura me armë të kalibrave të ndryshme, mitraloz, snajper, minahedhës, 22 armë të gjata të llojit AK 47, pushkë gjuetie, revole, një granatë dore e të tjera.
Policia tha po ashtu se dy AK 47 janë gjetur në manastirin e Banjskës.
Sa i përket situatës së sigurisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, Policia tha se ajo është e qetë, “por mbetet e tensionuar”.
Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Policia tha se tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiqin, nënkryetar të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.
Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiqi i armatosur në Banjskë.
Lista Serbe – partia që ka mbështetjen e Beogradit – e as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiqit.
Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.