Ndërlidhjet

Spanja dhe Gjermania arrestojnë 4 persona që furnizuan Hezbollahun me pjesë për dronë


Sulmet e Hezbollahut në qytetin Metulla në veri të Izraelit 26 qershor 2024.
Sulmet e Hezbollahut në qytetin Metulla në veri të Izraelit 26 qershor 2024.

Tre persona janë arrestuar në Spanjë dhe një tjetër në Gjermani nën dyshimet se i përkisnin një rrjeti që furnizonte grupin militant libanez, Hezbollah, me pjesë për të ndërtuar dronë kamikazë që u përdorën në sulmet në veri të Izraelit, thanë autoritetet spanjolle më 18 korrik.

Hetimi nisi në Spanjë pasi Garda Civile detektoi “operacione të dyshimta” të kompanive spanjolle, që udhëhiqen nga shtetas libanezë. Këto kompani kishin materiale të shumta dhe komponentë për prodhimin e dronëve që janë të aftë të bartin eksplozivë prej disa koligramësh, u tha në deklaratë.

Autoritetet besojnë se Hezbollahu mund të ketë ndërtuar disa qindra dronë me këta komponentë.

Sipas hetuesve, kompanitë spanjolle, sikurse ato në Evropë dhe në mbarë botën, blenë produkte përfshirë komponentë elektronikë, shtytës raketash dhe më shumë se 200 motorë elektrikë dhe pjesë të tjera të dronëve.

Pjesët e blera nga rrjeti, që tashmë është shkatërruar, u identifikuan në dronët që u përdorën nga Hezbollahu për të sulmuar Izraelin pas nisjes së luftës në Gazë më 7 tetor.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor.

Që nga nisja e luftës në Gazë, Izraeli ka kryer sulme ajrore në Liban, duke vrarë më shumë se 450 persona, shumica luftëtarë të Hezbollahut. Në mesin e viktimave besohet se më shumë se 80 ishin civilë. Në anën izraelite, si pasojë e sulmeve të Hezbollahut janë vrarë 21 usharë dhe 13 civilë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG