Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që të pandehurit Dejan Pantiq t’i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj.
Vendimi kësaj gjykate erdhi pas kërkesës që Prokuroria Speciale të Kosovës ka bërë më 4 janar, që të vazhdohet masa e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit Pantiq, i cili dyshohet për veprën penale “kryerje e veprës terroriste”.
Masa e arrestit shtëpiak ndaj Pantiqit, siç njoftoi Gjykata Themelore në Prishtinë, vazhdohet deri më 9 mars 2023.
Policia e Kosovës arrestoi ish-policin Dejan Pantiq, më 10 dhjetor, në pikën kufitare të Jarinjës, nën dyshimin se ai ka sulmuar zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës në Zubin Potok dhe në Mitrovicë të Veriut, më 6 dhjetor.
Autoritetet thanë se ai dyshohet për veprime terroriste kundër rendit kushtetues të Kosovës.
Arrestimi i tij nxiti grupe të serbëve lokalë të vendosnin barrikada në rrugët kryesore që çojnë drejt pikave kufitare, mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Për 20 ditë rresht, grupe të serbëve qëndruan në barrikada duke bllokuar qarkullimin.
Më 28 dhjetor, Prokuroria Speciale e Kosovës tha se Dejan Pantiqit i është ndryshuar masa e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Po atë ditë, autoritetet e Serbisë u kërkuan serbëve të veriut të Kosovës që të tërhiqeshin nga barrikadat.
Në orët e pasdites, më 29 dhjetor, nisi edhe largimi i barrikadave nga rrugët.
Njësitë e KFOR-it, më 5 janar, kanë vazhduar të heqin kamionë të djegur, të cilët ishin vendosur më herët në barrikada.