Ndërlidhjet

Adoleshentja iraniane e sulmuar nga policia e moralit në metro mund të ketë pësuar “vdekje në tru”


Armita Gervanadi, e cila ra në koma pas një incidenti në lidhje me mosbartjen e hixhabit në një stacion metroje në Tehran, Iran.
Armita Gervanadi, e cila ra në koma pas një incidenti në lidhje me mosbartjen e hixhabit në një stacion metroje në Tehran, Iran.

Armita Garavand, një nxënëse e shkollës së mesme që ra në koma pasi u sulmua nga policia e moralit pse nuk e kishte vendosur hixhabin, ka mundësi të ketë pësuar “vdekje në tru”, sipas mediave iraniane.

“Hollësitë e fundit rreth gjendjes shëndetësore të Armita Garvanadit tregojnë se vdekja në tru është e sigurt për të, me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor”, tha rrjeti i lajmeve i Republikës Islamike të Iranit.

Armita dhe dy shoqet e saj tentuan të futeshin në një stacion metroje në Teheran në fillim të tetorit, ku u ndaluan nga oficerët e policisë për shkak se nuk e kishin veshur hixhabin, bartja e të cilit është detyrim në Iran.

Oficerët e rrahën Armitën, 16-vjeçe, së cilës i ra të fikët më vonë pasi kishte hyrë në një tren.

Ajo u dërgua në Spitalin e Forcave Ajrore, Fajr, në periferi të Teheranit, ku ka rënë në koma që nga 1 tetori, sipas grupeve për të drejtat e njeriut dhe gazetarëve të cilët pretendojnë se Armita është viktima më e fundit e ligjit brutal detyrues të Iranit për bartjen e shamisë së kokës.

Një burim nga Spitali i Forcave Ajrore, Fajr, i cili foli për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë në kushte anonime për çështje sigurie, tha se Garavand kishte pësuar gjakderdhje në tru dhe se është në gjendje të rëndë.

Agjencia zyrtare e lajmeve e Iranit, IRNA, pretendon se Armita e kishte humbur vetëdijen pasi i kishte rënë shtypja e gjakut dhe si pasojë e kishte përplasur kokën në skajin e vagonit të metrosë.

Pamjet e publikuara nga IRNA prej kamerave të sigurisë, të cilat duket se janë ndrequr, e shfaqin një grup vajzash pa hixhab, apo shaminë e kokës, duke u futur në vagon. Pothuajse menjëherë, njëra nga vajzat zmbrapset dhe del jashtë vagonit. Ajo e tërheq jashtë vagonit një vajzë tjetër, e cila duket të jetë pandjenja.

Hyrja e stacioneve të metrosë në Teheran shpesh ruhet nga zyrtarë policorë, apo punonjës të kompanisë, të cilët ua ndalojnë hyrjen grave që nuk i përmbahen kodit të veshjes islamike.

Hengaw, një grup me bazë në Norvegji, i cili i vëzhgon shkeljet e të drejtave të njeriut në Iran, e ka hedhur poshtë versionin zyrtar të ngjarjeve. Ky grup tha më 3 tetor se Garavandi ishte viktimë e “një sulmi të rëndë fizik” nga anëtarët e policisë famëkeqe të moralit dhe se ajo u sulmua për shkak se “nuk iu përmbajt ligjit për hixhabin”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG