Fotografia e mësipërme, e shkrepur në tetorin e vitit 1996, është një prej disa të tillave që mbahen në Arkivin Kombëtar të Shteteve të Bashkuara, dhe që shfaqin ngrohjen e shkurtër në marrëdhëniet ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit, e cila nisi teksa Bashkimi Sovjetik po i afrohej rënies, dhe përfundoi me ngritjen e Vladimir Putinit.
Në dhjetorin e vitit 1991, Boris Yeltsin, i cili shpejt do të bëhej president i Rusisë, i tregoi sekretarit amerikan të Shtetit, James Baker, se si saktësisht do të aktivizohej sistemi bërthamor i Kremlinit për ndonjë sulm.
Gjesti befasues i transparencës i Yeltsinit u pasua nga një varg lëshimesh nga të dyja palët, të cilat do të çonin në largimin e mijëra kokave bërthamore nga arsenalet e secilit vend.
Rusia dhe SHBA-ja u pajtuan për të reduktuar ndjeshëm dhjetëra mijëra armë bërthamore që zotëronin secila, dhe për t'ua hequr koordinatat të tjerave. Vizitat reciproke në qendrat e armëve bërthamore ruse dhe amerikane u planifikuan si mënyrë për të ruajtur besimin, teksa nisi tërheqja historike bërthamore.
William M. Moon ishte menaxher i programit të sigurisë bërthamore në kuadër të programeve të Bashkëpunimit për Reduktimin e Kërcënimeve në disa ish-vende sovjetike, nga viti 1992 deri më 2014. Ai përjetoi nga afër ngrohjen shpesh të ftohtë të viteve '90.
Moon ishte përgjegjës për aranzhimin e dy vizitave të gjeneralëve rusë në depot amerikane të kokave bërthamore. Ai tregoi për Radion Evropa e Lirë se në njërën nga këto vizita, pjesëtarët e delegacionit rus ishin pajisur me leje të personalizuara, por, çuditërisht, vizitorët kishin këmbyer lejet me njëri-tjetrin. Kjo "shkaktoi një shkelje sigurie që nxiti rojat e Marinës të nxirrnin armët e tyre për të rrethuar delegacionin".
Komandanti i bazës u "zemërua", tha Moon, duke folur për debaklin me kartelat e identifikimit. "U bë e pamundshme për ne në programin e Bashkëpunimit për Reduktimin e Kërcënimeve që të ftonim ndonjë delegacion rus për të vizituar qendra të tjera amerikane".
Duke kujtuar vizitat e veta në depot e kokave bërthamore në Rusi, Moon tha për REL-in se misionet përfshinë "udhëtimin me furgona për tri e më shumë orë, me xhama të errësuar". Atij dhe ekipit u ishte ndaluar edhe bartja e ndonjë gjëje metalike. "Mua m'u morën edhe çizmet, sepse ato kishin material mbrojtës prej metali te pjesa e gishtave".
Përveç vizitave ushtarake në depot e raketave dhe qendrat e lëshimit të tyre, si pjesë e monitorimit të zbatimit të Traktatit për Reduktimin e Armëve Strategjike (START), vitet '90 u karakterizuan edhe me disa shkëmbime të vullnetit të mirë ndërmjet ushtrive ruse dhe amerikane.
Deri në mesin e viteve '90, marrëdhëniet ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit kishin filluar të prisheshin për shkak të zgjerimit lindor të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), dhe përfshirjes gjithnjë e më të madhe të aleancës perëndimore në Luftën e Bosnjës. Andrei Kozyrev, ministër i Jashtëm i Rusisë në kohën e Yeltsinit, i ka përshkruar homologët amerikanë si "banditë të vegjël perëndimorë".
Moon thotë se takimet ndërmjet ushtrive amerikane dhe perëndimore, të cilat nisën në vitet '90, u pezulluan nga Uashingtoni, pasi Rusia aneksoi pjesë të Ukrainës më 2014. Inspektimet për zbatimin e traktatit për armët u ndërprenë në fillim të pandemisë së COVID-19, e më pas, sipas Moonit, "Rusia refuzoi rinisjen e inspektimeve".
Teksa i hedh një vështrim prapa viteve shpresëdhënëse të nëntëdhjeta, Moon thotë se "është tejet shqetësuese për mua që pas bashkëpunimit aq të ngushtë me Ministrinë ruse të Mbrojtjes për gati 20 dekada, përfshirë mbi 75 vizita në Rusi, rusët i kanë ndërprerë të gjitha komunikimet dhe kanë zgjedhur të kryejnë një luftë të paprovokuar gjenocidale kundër Ukrainës".
"Kisha shpresuar që puna ime do të rezultonte me reduktim të mëtejshëm të tensioneve bërthamore, por Rusia ka zgjedhur agresionin para bashkëpunimit", shtoi Moon.