Ndërlidhjet

Dislokimi i armëve të SHBA-së “mund t’i bëjë kryeqytet evropiane caqe të Rusisë”


Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Fotografi nga arkivi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Fotografi nga arkivi.

Kremlini paralajmëroi se dislokimi në Gjermani i raketave të Shteteve të Bashkuara do t’i bëjë kryeqytetet evropiane caqe për raketat ruse. Moska tha se kjo do të ishte një përsëritje e konfrontimit të stilit të Luftës së Ftohtë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dimtry Peskov, foli për një “paradoks” në të cilin, “Evropa është cak i raketave tona, shteti ynë është cak i raketave amerikane në Evropë”.

“Ne kemi kapacitete të mjaftueshme për t’iu bërë ballë këtyre raketave, por viktimat potenciale janë kryeqytetet e këtyre shteteve”, tha ai për televizionin shtetëror rus, Russia 1.

Peskov aludoi se një konfrontim i tillë do ta minonte Evropën si tërësi.

“Evropa nuk po kalon në periudhën e saj më të mirë. Në një konfigurim tjetër, përsëritja e historisë është e pashmangshme”, tha ai, kur gazetari i Russia 1, Pavel Zarubin tha se Lufta e Ftohtë kishte përfunduar me kolapsimin e Bashkimit Sovjetik.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të mërkurën, gjatë samitit të NATO-s, se do të dislokojë në mënyrë periodike armë me rreze të gjatë veprimi, përfshirë raketat lundruese Tomahawk, në Gjermani nga viti 2026, si pjesë e strategjisë parandaluese.

“Ushtrimi i këtyre aftësive të avancuara do të demonstrojë angazhimin e SHBA-së ndaj NATO-s dhe kontribuuesve të aleancës për strategjinë e integruar evropiane të parandalimit”, tha Shtëpia e Bardhë.

Kremlini e ka kritikuar vendimin e SHBA-së për dislokimin e armëve në Gjermani, duke e akuzuar Uashingtonin se ka bërë një hap drejt një Lufte të re të Ftohtë dhe për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në konfliktin në Ukrainë.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha një ditë më parë se ministri i Mbrojtjes, Andrei Selousov, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan, Lloyd Austin, dhe dy zyrtarët kanë diskutuar për uljen e rrezikut “të një përshkallëzimi të mundshëm”.

Shtetet e NATO-s kanë forcuar mbrojtjen e tyre në Evropë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në vitin 2022.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG