Ndërlidhjet

Shumica e armenëve ikin nga Karabaku mes shqetësimeve për spastrim etnik


Armenë etnikë në një rimorkio duke u larguar nga Nagorno-Karabaku drejt Armenisë.
Armenë etnikë në një rimorkio duke u larguar nga Nagorno-Karabaku drejt Armenisë.

Eksodi i armenëve etnikë nga Nagorno-Karabaku është duke vazhduar për të dhjetën ditë, pas një ofensive të shkurtër ushtarake të Azerbajxhanit që ka rezultuar me kontroll të plotë mbi këtë rajon të shkëputur.

Për pasojë, mijëra persona janë nisur drejt kufirit të Armenisë.

Nazeli Baghdasarian, zëdhënëse e kryeministrit armen, Nikol Pashinian, ka thënë se një total prej 84.770 personave kanë hyrë në Armeni prej Nagorno-Karabakut deri në mëngjesin e 29 shtatorit.

Sipas saj, kjo shifër përbën dy të tretat e popullsisë së rajonit me 112.000 banorë.

Pashinian e ka akuzuar Azerbajxhanin për “spastrim etnik” dhe ka paralajmëruar se asnjë armen nuk do të mbetet në këtë rajon të shkëputur në ditët në vijim.

“Ky është akt i drejtpërdrejtë i spastrimit për të cilin e kemi paralajmëruar komunitetin ndërkombëtar”, ka thënë Pashinian në një takim qeveritar më 28 qershor, duke bërë thirrje për hapa konkretë nga komuniteti ndërkombëtar.

“Deklaratat që dënojnë spastrimin etnik nga aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë, janë të rëndësishme, mirëpo nëse nuk përcillen me hapa konkretë, këto deklarata do të shihen si statistika morale për historinë, ashtu që në të ardhmen shtetet të mund të thonë se distancohen nga ky krim, sepse e kanë dënuar atë”, ka thënë Pashinian.

Bakuja i ka hedhur poshtë akuzat për spastrim etnik dhe ka thënë se dëshiron ta “riintegrojë” popullsinë etnike armene në Azerbajxhan.

Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit ka thënë më 28 shtator se u ka kërkuar armenëve që të qëndrojnë në Nagorno-Karabak.

“Ne u bëjmë thirrje banorëve që të mos largohen nga shtëpitë e tyre dhe të bëhen pjesë e shoqërisë multi-etnike të Azerbajxhanit”, ka thënë ministria nëpërmjet një deklarate.

*Video: I porsalinduri refugjat: Bebja dyjavëshe mes eksodit të armenëve nga Karabaku

Rusia, e cila dikur ka qenë mbështetësja kryesore e Armenisë, por e cila është kritikuar nga Jerevani se paqeruajtësit e saj kanë dështuar ta parandalojnë rënien e Karabakut, ka thënë se armenët që po ikin, nuk duhet të frikësohen nga asgjë.

“Është e vështirë të themi se kush është fajtor (për eksodin) nuk ka arsye direkte për veprime të tilla”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili duket se i ka hedhur poshtë pretendimet e Armenisë për spastrim etnik.

“Njerëzit janë duke e shprehur dëshirën për të ikur… Atyre që e kanë marrë këtë vendim, duhet t’iu ofrohen kushte normale të jetesës”, ka thënë mes tjerash Peskov.

Ambasadori amerikan në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Michael Carpenter, ka thënë se armenëve etnikë në Nagorno-Karabak duhet t’iu mundësohet të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe t’iu garantohet siguri, nëse duan të qëndrojnë aty.

Për ata që duan të largohen, Carpenter ka thënë se atyre duhet t’iu garantohet një korridor i sigurt, i vëzhguar nga një palë e tretë neutrale.

Ai ka thënë se Azerbajxhani ka përgjegjësi për t’i mbrojtur civilët dhe për të garantuar trajtim njerëzor për të gjithë, përfshirë ata që dyshon se janë luftëtarë.

Carpenter e ka përsëritur thirrjen e misionit ndërkombëtar për të ofruar siguri në rajon dhe ka bërë thirrje që aty të kenë qasje organizata humanitare ndërkombëtare.

Carpenter ka përmendur se shefja e Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, e ka prezantuar një pako ndihme në vlerë të 11.5 milionë dollarësh, sa ka qenë në një vizitë në Armeni këtë javë.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të angazhohen për Armeninë dhe Azerbajxhanin në nivelet më të larta, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme”, ka thënë Carpenter.

Më 28 shtator, liderët e Republikës së Nagorno-Karabakut kanë thënë se entiteti i tyre, i stilit separatist, do të pushojë së ekzistuari prej 1 janarit.

Samvel Shahramanian ka thënë se ky vendim është marrë pas situatës së krijuar me Azerbajxhanin që e ka fituar kontrollin e plotë në rajon.

Në dekretin e tij është përmendur arritja e një armëpushimi javën e kaluar për t’iu dhënë fund luftimeve.

Në të, Bakuja është zotuar për të mundësuar “korridor të sigurt” për armenët etnikë të Nagorno-Karabakut, përfshirë “luftëtarët që i dorëzojnë armët”.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar dy herë brenda tri dekadave për këtë rajon.

Ai ka qenë i banuar me shumicë armene, por është njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, qysh prej rënies së Bashkimit Sovjetik.

Luftërat për këtë rajonin janë zhvilluar më 1994 dhe më 2020.

Luftimet e javës së kaluar kanë përfunduar me armëpushimin e ndërmjetësuar nga paqeruajtësit rusë.

Megjithatë, ata besohet se kanë bërë pak për të parandaluar përparimin e forcave të Azerbajxhanit në këtë rajon.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG