Dhjetëra raste janë shënuar të gjetjes së armëve nëpër çantat e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë. Bëhet fjalë për armë zjarri apo armë të ftohta, kryesisht thika.
Në Policinë e Kosovës, gjatë viteve 2016-2017 janë raportuar 74 raste të posedimit të armëve. Nga to, për posedim të armëve të zjarrit janë raportuar 30, kurse 44 ishte numri i raportuar i armëve të ftohta.
Për shkak të bartjes së këtyre armëve dhe përdorimit të tyre, disa raste kanë përfunduar me lëndime të rënda trupore, e disa edhe me fatalitet.
Gjatë kësaj jave, një nxënës i shkollës së mesme, në komunën e Suharekës ka humbur jetën si pasojë e një përleshjeje që ka ndodhur ndërmjet disa të rinjve, e i cili nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të shkaktuara me thikë. Ngjarja nuk ka ndodhur në shkollë, por ishte pasojë e posedimit dhe përdorimit të armëve nga të rinjtë dhe nxënësit.
Po ashtu, edhe vitin 2016, nga përdorimi i armëve të ftohta, kishte gjetur vdekjen një i mitur në Prishtinë. Ndërkohë që dy vitet e fundit kanë ndodhur 12 tentim-vrasje.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i konsiderojnë si shqetësuese këto raste. Merita Jonuzi, koordinatore për të drejtat e njeriut në këtë ministri, thotë se ka raste kur edhe autoritetet kompetente nuk arrijnë ta menaxhojnë mjaftueshëm situatën, pastaj rastet përfundojnë me fatalitet. Ajo thotë se ka shumë rrethana që shpijnë deri te konfliktet ndërmjet të rinjve.
“Rastet që kanë përfunduar me fatalitet, janë reflektim i situatës së përgjithshme në vend, që jo çdo herë mund t’i vihet gishti institucionit të shkollës”, thotë Jonuzi.
Më shumë se 1.100 është numri incidenteve të përgjithshme që janë raportuar në organet e rendit, protagonistë të të cilave kanë qenë nxënësit, raste që këto që kanë ndodhur brenda objekteve shkollore ose në afërsi të tyre.
Nga to, 367 raste kanë përfunduar me lëndime të lehta dhe të rënda trupore, kurse me kanosje 40 raste. Ndërkaq, rastet tjera janë të lidhura me vjedhje, zjarr-vënie, posedim të substancave narkotike, grabitje apo ngacmime seksuale.
Dhuna ndërmjet nxënësve në forma të ndryshme vazhdon të jetë e pranishme pothuajse në të gjitha mjediset edukative - arsimore në shkollat e Kosovës, por në masë më të madhe në kryeqytet, në Prishtinë.
Këtë e pranojnë edhe vetë nxënësit.
L.B është maturante në një shkollë të mesme në Prishtinë. Ajo tregon se përgjatë tri viteve, ka pasur shumë raste të dhunës.
“Sidomos në shkolla të mesme ka shumë raste të dhunës. Ka pasur raste therje me thika, rrahje...”, thotë ajo.
Alberti është nxënës i klasës së tetë në një shkolle fillore në Prishtinë. Ai thotë se edhe për gjëra të vogla, shpeshherë nxënësit përdorin dhunën si mjet.
“Kam dëgjuar se ka dhunë në shkolla, por edhe pas përfundimit të mësimit”, thotë Alberti.
Të shqetësuar shumë për fenomenin e dhunës dhe armëve në shkolla janë prindërit.
Bajram Beqiri, nga Këshilli i Prindërve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kanë kërkuar nga të gjitha institucionet kompetente që të krijohet një ambient më i sigurt në hapësirat e shkollave.
“Kemi bërë apel te Ministria e Arsimit, organet e sigurisë, te drejtoritë komunale të arsimit, edhe në shkolla që të krijohet një ambient më i sigurt dhe më miqësor nëpër shkolla. Fatkeqësisht, edhe viteve të kaluara kemi pasur raste me fatalitet, por edhe me lëndime serioze”, thotë Beqiri.
Në anën tjetër, Merita Jonuzi, nga Ministria e Arsimit, thekson se për të zvogëluar nivelin e dhunës në shkolla, ministria tashmë ka hartuar “Protokollin për parandalim dhe referim të dhunës në institucionet e arsimit parauniversitar”.
“MASHT-i ka hartuar platformë për parandalim të dhunës në shkollë dhe ka iniciuar hartimin e rregullores për këtë çështje. Ky dokument është ngritur në nivel të qeverisë për të marrë obligime të gjitha institucionet në mbështetje të shkollave për t’i adresuar rastet”.
“Për shembull, një rast mund të vijë i gjeneruar nga dhuna në familje ose problemeve tjera të narkomanisë ose problemeve tjera sociale, e që reflekton në ambiente të shkollës” shprehet Jonuzi.
Ndërkaq, sipas psikologëve, janë disa faktorë që i shtyjnë fëmijët deri te përdorimi i dhunës apo edhe armëve në shkolla.
Mimoza Shahini, psikologe, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përveç faktorit individual, si adoleshent, problemet familjare apo edhe klima në shkollë janë disa nga faktorët që rrisin nivelin e dhunës fizike dhe psikike.
Ajo, rikujton edhe faktin se në shoqërinë kosovare në një mënyrë promovohet dhuna si mjet për zgjidhjen e problemeve.
“Po t’i shikojmë këta faktorë, mendoj se janë të lidhur ngushtë edhe me promovimin që shoqëria i bën dhunës. Kjo pasi shpeshherë veprat e dhunshme, të cilat shikohen nga figurat politike apo aktivitete të ndryshme, qëndrojnë vazhdimisht në qendër të vëmendjes duke promovuar dhunën si mjete për zgjidhjen e problemeve. Kështu që do të thosha se rritja e nivelit të dhunës nëpër shkolla, është e ndërlidhur pikërisht me mosfunksionimin e këtyre hallkave”, vlerëson Shahini.
Dhuna ndërmjet nxënësve, po ashtu, vlerësohet se mund të ketë burim të përhapjes, dështimin për të krijuar një bazë të qëndrueshme të komunikimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve shkollore, nxënësve dhe prindërve.
Facebook Forum