Ndërlidhjet

Zeka: Institucionet nuk punuan në ndaljen e ikjes së të rinjve nga vendi


Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë
Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë

Ciklet e shpeshta zgjedhore në Kosovë kanë frenuar proceset ekonomike për krijimin e një ambienti më të mirë afarist në Kosovë, janë penguar dhe po pengohen shumë projekte të rëndësishme të cilat do ndihmonin zhvillimin ekonomik të vendit.

Kosova po përballet më ikjen e të rinjve nga vendi në mungesë të vendeve të punës dhe mungesës së perspektivës, ndërkohë që institucionet e vendit nuk kanë bërë pothuajse asgjë për ndaljen e tyre.

Bizneset po përballen me mungesë të punëtorëve gjë që po pengon zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese në vend.

Nga universitet e Kosovës po dalin studentë të pa përgatitur për tregun e punës. Këto dhe të tjera i thotë në këtë intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Zeka, çfarë ndikimi mund të kenë në zhvillimin ekonomik proceset e shpeshta zgjedhore në Kosovë?

Arian Zeka: Faktori politik është një nga faktorët e rëndësishëm që analizohet nga investitorët, qofshin ata të jashtëm apo të brendshëm. Çfarëdo pasigurie politike, në këtë rast mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve, ndikon në disponimin e këtyre investitorëve. Kjo frenon një pjesë të zhvillimeve në aspektin legjislativ. Çfarëdo që ka qenë në proces legjislativ në legjislaturën paraprake, me krijimin e Kuvendit të ri dhe institucioneve të reja do të kthehen në pikën zero, që do të thotë vonesë në procesin e reformave ose vonesë në krijimin e një mjedisi më të mirë për të bërë biznes.

Po i përmendi ligjet tatimore dhe një sërë ligjesh tjera që kanë qenë në proces përfshirë edhe Ligjin e punës, i cili është një pjesë e rëndësishme legjislative që rregullon e raportin ndërmjet e punëtorëve dhe punëdhënësve, për cilën është shpenzuar shumë kohë në dy-tre vjetët e fundit, kohë e vlefshme e institucioneve, si dhe nga ana e përfaqësuesve të organizatave të sektorit privat, përfshirë këtu edhe ne. Të gjitha ato rekomandime, komente që janë dhënë, duhet të përsëriten dhe kjo e bën të pakuptim procesin.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë projektet ekonomike që janë penguar apo mund të pengohen nga ciklet e shpeshta të zgjedhjeve?

Arian Zeka: Po nisi nga ato që janë të natyrës urgjente, siç është nevoja e ristrukturimit e Telekomit të Kosovës që punëson mijëra persona. Tani përgjatë kësaj situate aktuale politike nuk do të ketë vëmendjen e institucioneve. Telekomi i Kosovës do të pësojë edhe me tej si pasojë e kësaj situate, pra nuk do të mund të përfundojë procesin e ristrukturimit, e aq më pak të flitet për privatizimin.

Në anën tjetër, problemet financiare të Telekomit që janë nuk e di nëse do të na japin luksin që të presim për një moment më të mirë kur ajo mund të ristrukturohet. Tashmë ka një kërkesë në gjykatë nga ana e një kreditori apo një pale, e cila nëse ekzekutohet si e tillë, atëherë do të vë Telekomin e Kosovës në probleme edhe më të mëdha financiare. Ky është njëri prej projekteve, e theksova për faktin se prek fatin e mijëra të punësuarve dhe mijëra familjeve, por janë edhe shumë projekte të tjera.

Projektet tjera që do të mbesin peng i përfundimit të procesit zgjedhor dhe krijimit të institucioneve të reja, do të jenë edhe aplikacionet e investitorëve potencialë strategjikë, e që janë mbi dhjetë, të cilat presin përgjigje.

Në këtë situatë politike, institucionet nuk mund të japin përgjigjen e duhur nëse një kompani plotëson kriteret për të marrë statusin e investitorit strategjik. Kjo do të thotë që edhe durimi i investitorëve potencialë mund të soset dhe ata mund të marrin vendimin përfundimtar që të ndërpresin interesimin tyre për të investuar në Kosovë, e cila do të bënte dëm për vendin.

Po ashtu, si projekte që do të hasin në vonesa janë edhe shumë iniciativa për krijimin e zonave të lira ekonomike ku është edhe Zona Ekonomike Amerikane e cila nuk mund të marrë një formë dhe të rregullohet në aspektin ligjor. Edhe ato kompani amerikane të cilat kanë dëgjuar për këtë projekt do të shohin një devalvim, pasi që asgjë nuk ndodh në terren dhe gjithçka vonohet deri në krijimin e institucioneve të reja.

Radio Evropa e Lirë: E theksuar Zonën Ekonomike Amerikane. Deri më tani a ka interesim të investitorëve amerikanë për këtë zonë ekonomike?

Arian Zeka: Është promovuar si ide, ndoshta ajo që është e keqe është se ende në aspektin ligjor nuk janë zgjidhur të gjitha paqartësitë. Ne si OEAK ja kemi bërë të qartë qeverisë së vendit se duhet të ndryshohet baza ligjore, në mënyrë që disa lehtësira të cilat ne i kemi rekomanduar qeverisë, mund të rregullohen vetëm nëse ekzistojnë dispozita të qarta ligjore.

Legjislacioni aktual për zonat ekonomike si dhe legjislacioni tatimor nuk lejon që ato lehtësira përfshirë edhe disa pushime tatimore ose heqjen e detyrimeve për pagesën e tatimeve të caktuara për kompani të cilat do të vendosen brenda zonës amerikane.

Përftimi kryesor është toka pa pagesë që ata investitorë e marrin, por në anën tjetër, ajo që është e rëndësishme që do të bënte Kosovën më konkurruese janë pikërisht këto lehtësira tatimore që i theksova, e që nuk ekziston baza ligjore.

Radio Evropa e Lirë: Cilat i shihni ju si prioritetet e punës, nga aspekti i zhvillimit ekonomik, të Qeverisë së ardhshme të Kosovës, e cila pritet të dalë si rezultat i zgjedhjeve të 6 tetorit?

Arian Zeka: Fuqizimi i sektorit privat është trupa e vetme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit. Kudo, në secilin aktivitet me bizneset e sektorit privat, e shohim që ekzistojnë probleme të shumta. Shume prej tyre lidhen me sundimin e ligjit që mbetet në nivel jo të kënaqshëm, pavarësisht investimeve që janë bërë, pavarësisht reformave që janë ndjekur nga Ministria e Drejtësisë, mbështetur nga mekanizmat ndërkombëtarë. Këtu po e përmendi edhe funksionimin e gjykatave, zbatueshmërinë e kontratave që pastaj vuan si pasojë e një sistemi të dobët gjyqësor.

Kjo është një nga çështjet më të rëndësishme që përballet sektori privat dhe që rrjedhimisht pamundëson fuqizimin e tij deri në atë masë që të kontribuojë në zhvillimin ekonomik.

Çështja tjetër është fuqia punëtore. Këtu janë dy aspekte, e para është që këta të rinj të diplomuar në universitet tona, nuk i përmbushin kërkesat e tregut të punës dhe duhet të investohet në trajnimin e tyre.

Ajo që është e dhimbshme dhe paradoksale në këtë moment në shtetin e Kosovë ku kemi një papunësi 30 për qind, por që nuk ka fuqi të disponueshme punëtore, pra kompanitë po përballen me problemin e sigurimit të kuadrove punëtore në veçanti sektori i prodhimtarisë.

Tani kur të gjitha përpjekjet në vitet e fundit janë bërë që sektori i prodhimit të zhvillohet dhe të ndihmojë në krijimin e vendeve të punës dhe zëvendësimin e eksporteve dhe përmirësimin e bilancit tregtar tani jemi në një situatë ku pavarësisht të gjitha reformave fiskale, sektori i prodhimit nuk mund të arrijë të gjejë fuqinë e duhur punëtore, pasi që të rinjtë nuk e shohin sektorin e prodhimit si një vend ku ata mund të ndërtojnë të ardhme apo karrierën e tyre profesionale. Kjo është ajo që duhet të fokusohen institucionet e reja.

Radio Evropa e Lirë: Viteve të fundit është raportuar për një numër të konsiderueshëm të të rinjve, por edhe kuadrove të gatshme profesionale, që po lëshojnë Kosovën. Sa e kanë adresuar si problematike institucionet, por edhe bizneset në Kosovë këtë çështje?

Arian Zeka: Tendencat e qytetarëve të Kosovës, në mesin e tyre të rinj, qofshin ata që kanë një vend pune, qofshin ata që nuk kanë vende pune dhe nuk kanë perspektivë, janë reflektim i situatës ekonomike në vend. Kosova po që ka pasur një rritje ekonomike deri në 5 për qind, ne kemi thënë vazhdimisht kjo nuk mundëson as krijimin e vendeve të punës, as përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Në këtë situatë, natyrisht që një pjesë e madhe e qytetarëve do të synojnë që jetë më të mirë të kërkojnë në një vend tjetër. Është një tendencë rajonale, është një tendencë që e shohim edhe në vendet tjera, por në rastin e Kosovës është më e madhe.

Ajo çfarë kanë bërë institucionet pothuajse nuk kanë ndihmuar aspak në ndaljen e emigrimit për shkak se elementet ë shteti ka mundur të investojë, siç është ofrimi i trajtimit të barabartë për të gjithë, realisht ka munguar. Është thënë edhe në raportet e mekanizmave ndërkombëtarë, qofshin ato biznese apo individë, të cilët kanë qenë të lidhur më partitë politike kanë pasur një trajtim pak më të privilegjuar në raport me qytetarët tjerë.

Shteti është dashur të fuqizojë institucionet gjyqësore, të ofrojë trajtim jo diskriminues, të barabartë për të gjithë. Nëse e shohim vazhdimisht kemi punësim të personave në institucionet publike apo ndërmarrjet publike që janë të lidhur me partitë politike.

Sektori privat është i vetëdijshëm që një pjesë e barrës kalon mbi ta. Ata duhet të përmirësojnë kushtet e punësimit, por megjithatë këtë mjedis ku perspektiva për fuqizimin e sektorit privat mungon, ata janë të kufizuar të bëjnë më shumë sesa që kanë bërë.

Ajo çka duhet të ndodhë dhe të ruajmë të rinjtë është të fokusohemi tek investimet e huaja. Situata e kaluara ka treguar se investimet e brendshme e kanë të pamundur të ndikojnë në rritjen më të madhe ekonomike apo krijimin e vendeve të punës, që do të thotë shpresa mbetet te tërheqja e investimeve të huaja.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG