Arabia Saudite pritet të jetë nikoqire e Kupës së Botës 2034, pasi Australia u tërhoq nga gara për ta organizuar këtë turne të futbollit.
Federata e Futbollit e Australisë njoftoi vendimin për tërheqjen vetëm pak orë para se të mbaronte afati i fundit i FIFA-s për deklarimin e interesimit të martën.
Tani, Arabia Saudite është kandidatja e vetme për ta organizuar botërorin e burrave në futboll.
“Ne kemi ardhur në përfundim të mos e bëjmë këtë [kandidojmë] për garën e 2034-ës”, tha Federata australiane në një komunikatë për media.
Ajo thotë se qëllimi i saj është të përqendrohet në përpjekjet për ta organizuar Kupën e Grave të Azisë më 2026 dhe Kupën e Botës për Klube më 2029.
Kupa e Botës 2026 do të mbahet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.
Maroku, Portugalia dhe Spanja do ta organizojnë Kupën e Botës 2030, por ndeshjet do të luhen edhe në Argjentinë, Paraguai dhe Uruguai.
Katari ishte nikoqir i Botërorit të fundit, 2022, midis sezonit të futbollit evropian për klube në nëntor dhe dhjetor, në mënyrë që ta shmangte të nxehtit ekstrem në muajt e verës dhe gjasat janë që edhe Botërori në Arabinë Saudite të mos mbahet në orarin tradicional qershor-korrik.
Pasi Katari u përball me akuza të gjata për abuzim me të drejtat e punëtorëve emigrantë, të cilët punuan për ndërtimin e stadiumeve, edhe Arabia Saudite do të përballet me disa kritika të njëjta gjatë përgatitjeve për organizimin e turneut.
“Duke qenë se Arabia i ka rreth 13.4 milionë punëtorë emigrantë, nuk ka mbrojtje dhe ngrohje të mirëfilltë për punëtorët dhe nuk ka unione të punëtorëve, nuk ka as mbikëqyrës të pavarur për të drejtat e njeriut dhe liri të shtypit, ekziston çdo arsyeje për t’u frikësuar për jetët e atyre që do të shërbejnë dhe do t’i ndërtojnë këto stadiume, hotele dhe infrastruktura të tjera në Arabinë Saudite”, tha drejtori i Human Rights Watch për iniciativa globale, Minky Worden.