Ministria e Ekonomisë ka njoftuar për nisjen e aplikimeve për subvencionim të pajisjeve efiçiente të ngrohjes për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.
Financimi i subvencionimit do të bëhet nga Bashkimi Evropian, ndërkaq bizneset do të mund të aplikojnë përmes platformës E-Kosova.
Pajisjet që do të subvencionohen janë: pompat termike, kondicionerët efiçientë, kaldajat me biomasë dhe stufat individuale me biomasë.
Për secilën prej pajisjeve ka çmim dhe përqindje të posaçme.
Ministria e Ekonomisë tha se për këtë proces vlen rregulli: Kush aplikon i pari, shërbehet i pari.
Ndërkaq, procesi i shqyrtimit të aplikimeve do të përmbyllet më 10 janar.
Në shtator, skemë e ngjashme e subvencionimit u aplikua për pajisjet efiçiente të përdorura nga qytetarët.
Qeveria e Kosovës ka thënë se me këtë synon uljen e konsumit të energjisë përmes rritjes së efiçiencës.
Subvencionimi për pajisje efiçiente për qytetarët dhe bizneset është aplikuar edhe vitin e kaluar.
Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë.
Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, që funksionojnë me thëngjill.
Sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), vitin e kaluar Kosova ka importuar mbi 750 mijë megavate energji elektrike.
Nga Kompania kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike, KEDS, paralajmëruan se nevojat për import do të vazhdojnë edhe këtë dimër dhe se çmimet në bursat ndërkombëtare “do të jenë të paparashikueshme”.
Vitin e kaluar, çmimi mestar i rrymës për kategorinë e konsumatorëve familjarë në Kosovë shkoi në 6.14 euro për kilovat - nga 5.60 euro sa ishte në vitin 2021.
Ndërsa, për konsumatorët jofamiljarë, çmimi mesatar i rrymës në vitin 2021 ishte 8.39 euro, për të shkuar në 9.27 euro në vitin 2022.
Në prill të këtij viti, çmimi u rrit sërish - për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.