Ndërlidhjet

Apeli ua kthen sërish prokurorëve rastin e vëllezërve Tate


Andrew Tate (majtas) me vëllain e tij, Tristanin.
Andrew Tate (majtas) me vëllain e tij, Tristanin.

Gjykata e Apelit në Bukuresht e ka pranuar ankesën e figurës kontroverse Andrew Tate dhe e ka kthyer rastin sërish te prokurorët.

Gjykata e ka marrë këtë vendim të enjten me arsyetimin se ka gjetur “parregullsi” në padinë e lëshuar prej Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.

Vendimi përbën goditje për njësitin e prokurorisë që heton krimin e organizuar në Rumani, i cili i ka ngritur akuzat kundër Andrew Tate-it, vëllait të tij, Tristanit, dhe dy grave rumune.

Të katërtit janë arrestuar në dhjetor të vitit 2022, në dyshimet për trafikim me njerëz.

Të gjithë i hedhin poshtë akuzat e ngritura kundër tyre.

Andrew Tate, 38-vjeçar, dhe Tristan Tate, 36-vjeçar, janë shtetas britaniko-amerikanë dhe në të kaluarën kanë qenë kikboksierë.

Andew Tate i ka më shumë se 10 milionë ndjekës në platformën e tij sociale X – të njohur më parë si Twitter – ndërsa është përjashtuar nga platformat tjera, përfshirë Facebookun dhe TikTokun, pas akuzave për publikim të materialeve me gjuhë të urrejtjes dhe për komente mizogjene.

Andrew Tate është nën arrest shtëpiak prej gushtit, ndërsa Tristan Tate është nën vëzhgim të autoriteteve.

Hetuesit rumunë i kanë marrë disa herë në pyetje vëllezërit dhe kanë urdhëruar disa herë kërkime në rezidencat e tyre.

Atyre u ndalohet largimi prej Rumanisë, ndërsa pas përfundimit të procedurave gjyqësore, ka mundësi që ata të ekstradohen në Britani.

Atje ata përballen me dyshime tjera për dhunime dhe trafikim me njerëz.

Më 18 dhjetor, një gjykatë në Britani ka marrë vendim që policia mund t’ua konfiskojë vëllezërve 3.3 milionë dollarë për t’i mbuluar taksat e papaguara ndër vite.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG