Bashkimi Evropian (BE) ka mirëpritur zbatimin në praktikë të masave kufizuese që Mali i Zi ka vendosur kundër Rusisë, duke ndaluar fluturimin e avionit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.
“Ne mirëpresim harmonizimin e plotë nga Mali i Zi me politikën e sigurisë së BE-së, duke përfshirë masat kufizuese dhe zbatimin e tyre në praktikë, që është dëshmuar në ndalimin e fluturimit të avionit të Lavrovit”, tha Stano në një deklaratë për media.
Ai shtoi se BE-ja dhe shumë shtete të tjera po vendosin sanksione, duke ua ndaluar avionëve rusë që të fluturojnë mbi territoret e tyre dhe po ndalojnë “udhëtimet për nxitësit e luftës dhe individët si Lavrov”.
Vizita e Lavrovit në Serbi u anulua më 6 qershor, pasi Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bullgaria refuzuan që të lejonin avionin e Lavrovit të kalonte në hapësirën e tyre ajrore.
Kremlini tha se vendimi i këtyre shteteve ishte “akt armiqësor”.
Reagimi më i ashpër nga Rusia pas anulimit të vizitës së Lavrovit në Serbi erdhi nga drejtori i agjencisë shtetërore ruse të hapësirës, Roscosmos, Dmitry Rogozin, i cili deklaroi se raketat balistike ruse ndërkontinentale, Sarmat, “nuk do të kërkojnë leje për të fluturuar” nga këto tri shtete.
I pyetur për kërcënimet që janë bërë nga Rusia drejt shteteve që po ndalojnë fluturimet e avionëve rusë, Stano tha se nuk sheh arsye që të komentojë deklaratat e tilla.
“Ne nuk shohim absolutisht asnjë arsye për të komentuar kërcënimet dhe deklaratat e papërshtatshme nga kushdo që është në sanksionet e BE-së, sepse ai është një prej promovuesve dhe mbështetësve më të zhurmshëm të agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës, për shkak të angazhimit të vazhdueshëm në aktivitete të dezinformimit”, tha Stano.
Ministri i Malit të Zi për çështje administrative, Ranko Krivokapiq, tha se me ndalimin e avionit të Lavrovit, Podgorica ka respektuar obligimet që ka marrë.
Sipas tij, ky vendim ishte i pashmangshëm dhe shtoi se ishte i befasuar nga reagimi.
Më 6 qershor, Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi njoftoi se kishte ndaluar fluturimin e avionëve rusë, duke u bazuar në sanksionet ndërkombëtare të vendosura ndaj Rusisë për shkak të agresionit ushtarak kundër Ukrainës.
Mali i Zi nuk lejon avionët rusë të kalojnë në hapësirën ajrore, përveç në raste specifike, tha Ministria e Punëve të Jashtme.