Ndërlidhjet

Anëtarët e komisionit anti-korrupsion hetohen për korrupsion


Ilustrim
Ilustrim

Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit ka humbur kuptimin e funksionimit, dhe anëtarët e tij, jo vetëm që duhet të shkarkohen, por edhe të bartin përgjegjësi juridike. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike duke komentuar njoftimin e Prokurorisë Publike të Maqedonisë, e cila ka nisur hetime ndaj disa anëtarëve të komisionit për shpërdorim të fondeve të institucionit ku punojnë.

"Nuk mjafton vetëm se përgjegjësia politike, shkarkimi, por duhet të kërkohet edhe përgjegjësi penale dhe kthimi i mjeteve në buxhetin e shtetit. Me këto shkelje, me këto vepra korruptive që bëhen nga organet e shtetit, nga komisionet shtetërore që i zgjedh Kuvendi dhe përgjigjen para tij, ne nuk kemi as shtet juridik dhe as sundim të së drejtës”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Osman Kadriu, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin Fon të Shkupit.

Prokuroria Publike bazuar në raportin e Drejtorisë së të Ardhurave Publike dyshon se disa anëtarë të komisionit kanë marr para nga buxheti i komisionit më shumë se sa nevojat e tyre, apo se për qira të banesave kanë marr nga 350 euro ndërsa qiranë nuk e kanë paguar më shumë se 100 euro. Dhe veç kësaj, ata akuzohen edhe për falsifikim të faturave për harxhimet e udhëtimit që mbulohen nga buxheti i komisionit.

Kreu i komisionit konfirmoi për mediat dyshimet e ngritura nga organi i akuzës, por tha se nuk pajtohen me vlerësimet e bëra duke i quajtur të ekzagjeruar, si dhe duke hedhur poshtë pretendimet për falsifikim të faturave të udhëtimit. Igor Tanturovski thotë se qëllimi i një raporti të tillë më tepër është për të heshtur komisionit nga hetimet që po bënë për zyrtarë të Qeverisë aktuale, por edhe të qeverisë paraprake. Megjithatë, ai nuk ka saktësuar se për çfarë hetimesh bëhet fjalë.

“Supozoj se kjo dikujt nuk i pëlqen. Prokuroria Publike ka ngritur procedurë për hetimin e dyshimeve lidhur me raportin e Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe për këtë menjëherë ka njoftuar mediat, pa u kërkuar një gjë nga ana e tyre. Pra, sikur dëshirohet që me çdo kusht që rasti të merr publicitet. Pas kësaj menjëherë kemi paraqitjet para mediave të një partie politike e cila kërkoi dorëheqjen e anëtarëve të komisionit”, thotë Igor Tanturovski, kryetar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Nga Lidhja Social-Demokrate në pushtet pas publikimit lajmit menjëherë kanë dalë me kërkesën për dorëheqjen e anëtarëve të komisionit. Nëse këtë nuk e bëjnë, atëherë paralajmërojnë nismë për shkarkimin e tyre.

“Anëtarët e komisionit anti-korrupsion më nuk kanë kredibilitet profesional dhe etik që të ushtrojnë funksionet e tyre. Në rast se anëtarët e Anti-korrupsionit nuk japin dorëheqje të menjëhershme, atëherë Kuvendi i Maqedonisë si organ kompetent për emërimin e tyre, do të ngrejë procedurë për shkarkim e tyre nga detyra”, ka deklaruar nënkryetarja e Kuvendit, Frosina Remenski.

Komisionit anti-korrupsion edhe më parë ka qenë në shënjestër të kritikave pas gjatë dy mandateve të Qeverisë së kaluar nuk ka ngritur as edhe një proces gjyqësor kundër zyrtarëve, pavarësisht denoncimeve të shumta që janë bërë nga qoftë nga organizatat që merren me luftimin e korrupsionit, por edhe opozita e atëhershme si dhe institucionet ndërkombëtare. Madje, në disa raste komisioni ka dalë edhe në mbrojtje të anëtarëve të Qeverisë, kur ata janë kritikuar për mosparaqitjen e fletëve anketuese për pasurinë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG