Pavarësisht se nuk ka anije të mëdha të marinës në detyrë aktive, Ukraina ka arritur të shkatërrojë rreth një të tretën e Flotës ruse në Detin e Zi, kryesisht përmes sulmeve me raketa dhe dronë detarë, teksa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdon.
Tani Kievi po rindërton forcën e tij detare pasi ajo u shkatërrua gjatë pushtimit rus. Por, anijet po ndërtohen jashtë kufijve të Ukrainës dhe është e paqartë nëse ato do të ketë ndonjë rol në luftën aktuale me Rusinë.
Në Turqi, ndërtimi i një anijeje për Marinën ukrainase përfundoi dhe ajo u lëshua për operim në Stamboll në tetor të vitit 2022. Ekuipazhi i anijes është regjistruar dhe, anija e quajtur Hetman Ivan Mazepa, po u nënshtrohet testeve në det. Hetman ishte titull për komandantët ushtarakë kozakë ukrainas, veçmas në shekullin 17 dhe 18.
Gjatë një vizite në një kantier detar në Stamboll më 8 mars, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shikoi nga afër luftanijen e dytë që po ndërtohet në Turqi, përmes një kontrate të dhënë nga Kievi. Gjatë vizitës, Zelensky e emëroi anijen Hetman Ivan Vyhovsky, në nder të një komandanti i cili në shekullin e 17-të kishte luftuar që ta mbante Ukrainën jashtë orbitës së Moskës.
Anijet i përkasin klasit Ada të dizajnuar nga Turqia, të cilat kanë një teknologji që e bëjnë relativisht të vështirë që të zbulohen. Anijet mund të pajisen me armatime kundër anijeve dhe nëndetëseve. Marrëveshja për ndërtimin e dy anijeve, mes Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës dhe firmës turke të inxhinierisë STM, u nënshkrua në vitin 2020 dhe Kievit i kushtuan 256 milionë dollarë këto dy anije.
“Ky lloj i anijes është kundër nëndetëseve. Për këtë është e specializuar”, tha Volodymyr Zablotskiy, ekspert në Defense Express, për Shërbimin Ukrainas të Radios Evropa e Lirë.
“Ato [anijet] kanë helikopterë, hidroakustikë dhe sisteme të detektimit elektrik që mund të përcaktojnë se çfarë nënkuptojë tingujt e detektuar. Pra, është një anije që e di se ku është një nëndetëse dhe si duhet ta sulmojë atë”, shtoi eksperti.
Anijet janë rreth 100 metra të gjatë dhe afër 15 metra të gjera. Dy anijet janë të pajisura me sisteme amerikane kundër anijeve, Harpoon, si dhe me sisteme kundër avionëve, kanë pajisje të artilerisë, mitraloz të kalibrit të lartë dhe tuba silurues.
Por, shumëkush pyet nëse këto anije do të kenë ndonjë rol në konfliktin aktual me Rusinë apo nëse do të jenë në gjendje të arrijnë në zonën e luftës. Nuk është e qartë nëse dy anijet do të lejohen që të lundrojnë përmes Bosforit.
Turqia është detyruar të mbyllë rrugën strategjike detare për anijet për të dyja palët gjatë një konflikti, sipas një konvente të vitit 1936 që rregullon kalimin e anijeve përmes kësaj ngushtice strategjike.
Ka mundësi që Ukraina të kërkojë që të lejohet lundrimi i anijeve, pasi që largimi nga Stambolli nuk do të nënkuptonte në mënyrë eksplicite një udhëtim transit përmes Bosforit. Por, edhe nëse anijeve do t’iu jepej leja që të largoheshin për në ujërat ukrainase gjatë luftës, analistët thanë se ato kanë të ngjarë që të shënjestrohen menjëherë nga Rusia.
“Shpresoj që lufta të mbarojë në kohën kur këto anije do të marrin lejen që të lundrojnë”, tha Oleg Chubuk, ish-zëdhënës i Marinës ukrainase.
“Rusët po i presin ato, do t’i përndjekin nga momenti që ato të kalojnë [në ujërat ukrainase]”.
Zablotskiy u pajtua me këtë, duke theksuar se anijet janë një cak me vlerë të lartë për Rusinë sapo ato të jenë në ujërat ukrainase.
“Është më mirë që ato, tash për tash, të mbeten në Turqi”, tha ai.
Në dhjetor të vitit 2023, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia njoftuan se do të udhëhiqnin një koalicion të ri të forcave detare që do t’i ofrojë mbështetje Ukrainës në terma afatgjatë, përfshirë trajnime, pajisje dhe infrastrukturë për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës në Detin e Zi.
Britania po ashtu ka premtuar se do t’i japë Ukrainës dy anije për pastrimin e minave, por ato ende nuk i janë dërguar Kievit për shkak të ndalesës që të kalojnë përmes Bosforit.
Industria e madhe për ndërtimin e anijeve e Ukrainës faktikisht ka dalë jashtë funksionit që nga shkurti i vitit 2022 kur Rusia nisi pushtimin e këtij shteti dhe kur Marina ukrainase pësoi humbje të mëdha, përfshirë edhe shkatërrimin e anijes kryesore, Hetman Sahaidachny. Ajo u shkatërrua në Mikolajiv, me synimin që të mos binte në duart ruse.
Aktualisht, ndërtimi i anijes së Ukrainës, e emëruar Volodymyri i Madh, është pezulluar në Mikolajiv, pasi ky qytet-port në jug të shtetit vazhdimisht është cak i sulmeve ruse. Nëse do të përfundonte ndërtimi i kësaj anijeje, me shumë gjasa ajo do të bëhej anija kryesore e Marinës ukrainase.