Ndërlidhjet

Presidenti i Qipros: Anija e dytë me ndihma, e gatshme të lundrojë drejt Gazës


Anija e mbushur me ndihma humanitare për Rripin e Gazës në portin e Larnacës në Qipro, 16 mars 2024.
Anija e mbushur me ndihma humanitare për Rripin e Gazës në portin e Larnacës në Qipro, 16 mars 2024.

Anija e dytë e mbushur me ndihma ushqimore është e gatshme të niset nga Qipro drejt Rripit të Gazës të shtunën, tha presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides.

Anija e parë me ndihma ushqimore mbërriti në enklavën e rrethuar palestinezeve të premten mbrëma.

Gati 200 tonë ushqim mbërritën dje në enklavë përmes rrugës së re detare drejt Gazës, e cila është shkatërruar nga tashmë një fushatë pesëmujore ushtarake e Izraelit.

“Anija e parë është nisur të kthehet në Qipro, dhe ne jemi të gatshëm ta nisim anijen e dytë”, tha Christodoulides të shtunën.

Anija e dytë, me 240 tonë ndihma, është ankoruar në portin e Larnacës në pritje të dritës jeshile për të lundruar.

Ngarkesa e re përmban ushqime të konservuara dhe shumë produkte të tjera.

Nëse rruga e re detare është e suksesshme, ajo do të ndihmojë në lehtësimin e krizës së urisë në Gazë, ku shumica e popullit përballet me kequshqyerje.

Zyrtarët e grupeve humanitare kanë paralajmëruar se Gaza po shkon drejt urisë absolute.

Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Gazën dhe Bregun e pushtuar Perëndimor, Richard Peeperkorn, tha në fillim të marsit se një në gjashtë fëmijë nën moshën 2-vjeçare në veri të Gazës përballet me kequshqyerje akute.

Lufta vdekjeprurëse e Izraelit në enklavën palestineze nisi pasi pjesëtarët e Hamasit - grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE - u futën vrullshëm në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 250 pengje.

Më shumë se 31.000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, nga ofensiva ajrore, detare dhe tokësore e Izraelit, e cila ka shkaktuar rrënim të madh në enklavë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG