Ndërlidhjet

Amendamentet kushtetuese s’i plotësojnë kërkesat e shqiptarëve


Mural me motive shqiptare në Shkup
Mural me motive shqiptare në Shkup

Amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes së emrit me Greqinë, tashmë kanë marrë formë, ndërsa votimi i tyre final pritet të bëhet pas festave të Vitit të Ri.

Ndryshimi më i madh sa i përket propozimit të parë të Qeverisë ka të bëjë me dokumentet personale apo shtetësinë që do të jetë “maqedonas/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, që nuk e përcakton dhe definon përkatësinë etnike të qytetarëve”.

Ndryshimi tjetër ka të bëjë me shtetasit e Maqedonisë jashtë vendit dhe kujdesin e shtetit për ta. Ata do të quhen “diaspora” dhe jo maqedonasit jashtë shtetit, siç ishte në variantin e parë.

Ndryshimi tjetër ka të bëjë me ndërhyrjen që kishte bërë grupi i deputetëve të përjashtuar të VMRO-së, lidhur me forcimin e identitetit maqedonas si dhe për anulimin e të gjitha amendamenteve nëse marrëveshja nuk kalon në Greqi.

Do theksuar se deputetët e opozitës shqiptare kishin paraqitur kërkesa tjera, por që ishin refuzuar nga shumica parlamentare si ajo e ndryshimit të preambulës dhe definimit të shqiptarëve si popull shtetformues, heqjen e termit prej 20 për qind për shqiptarë, si dhe kërkesa tjera.

Njohësit e çështjeve politike dhe shoqata të ndryshme që përfaqësojnë shqiptarët, nuk pajtohen me ndryshimet duke theksuar se ato aspak nuk janë të favorshme për shqiptarët.

Shpëtim Pollozhani nga Forumi i Intelektualëve Shqiptarë thotë për Radion Evropa e Lirë se faktori politik shqiptar nuk është treguar këmbëngulës sa i përket përfshirjes së kërkesave lidhur me çështjet që janë me interes për shqiptarët e Maqedonisë.

“Shqiptarët, si forcë politike janë anashkaluar krejtësisht në këtë marrëveshje, edhe pse janë faktor kyç, faktorë vendosës për zgjidhjen e problemit të tashëm. Mendoj se partitë politike shqiptare nuk janë në nivelin e kohës dhe në nivelin e detyrës, përpos një pjese të opozitës”, konsideron Pollozhani.

Duke komentuar pranimin e amendamentit që Kosova të njihet si shtet fqinj edhe në Kushtetutë, Pollozhani thotë se kjo paraqet “hedhje hi syve”.

“Kjo nuk është ama hiç kurrgjë. Do të thosha se kjo (përcaktimi se Maqedonia si shtet kufizohet edhe me Republikën e Kosovës) paraqet një çështje shumë të lirë kozmetike”.

“Kosovën, si shtet tashmë e kanë pranuar shtete të fuqishme të botës, tash kjo paraqet një formalitet të thjeshtë që duhet të bëhet më herët. Për mua, Zaevi si kryeministër, nga i cili kanë pritur shumë shqiptarët, ka dështuar përgjithësisht në çështjen shqiptare“, thekson Pollozhani.

Por, Trendafill Ivanovski, njohës i çështjeve juridike thotë se ndryshimet e Kushtetutës kishin të bëjnë vetëm me marrëveshjen për emrin apo për një qëllim të caktuar, andaj edhe ishte e pamundur që të ngrihen edhe kërkesa të tjera.

Ai thotë se në këtë moment delikat, në të cilin ndodhet Maqedonia si shtet, është e pamundur të hapen çështjet, siç i quan, të ndjeshme për t’u inkorporuar në Kushtetutë, siç janë kërkesat e qytetarëve shqiptarë po edhe çështje të tjera.

“Kur të stabilizohet Maqedonia si shtet, të gjitha ato çështje që kanë gjeneruar krizë dhe vazhdojnë të gjenerojnë krizë, sigurisht se do të hapen sa i përket Kushtetutës. Por, në këtë moment nuk ka kohë dhe as hapësirë që këto çështje të diskutohen sepse Maqedonia është e shtrënguar të realizojë marrëveshjen e Prespës, për të cilin proces rrjedhin afatet e caktuara”, thotë Ivanovski.

Ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme për realizimin e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit, të njohur si Marrëveshja e Prespës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG