Ndërlidhjet

Ambasadori rus në SHBA thotë se po largohet nga detyra


Ambasadori rus në SHBA, Anatoly Antonov. Fotografi nga arkivi.
Ambasadori rus në SHBA, Anatoly Antonov. Fotografi nga arkivi.

Ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, tha se detyrës së tij po i vjen fundi, njoftim që i hap rrugën Moskës të dërgojë një diplomat të ri në Uashington në kohën kur tensionet mes dy shteteve janë më të këqijat në dekada.

SHBA-ja dhe Rusia kanë mosmarrëveshje sa i përket luftës së Moskës kundër Ukrainës dhe raportet mes tyre kanë arritur në nivelin më të ulët që nga kriza kubane e raketave e vitit 1962.

Për largimin e Antonovit nga posti i ambasadorit raportoi më 4 korrik e përditshmja ruse, Kommersant, që posedoi një letër të shkruar me dorë nga Antonov për një institut kërkimor rus, për 30-vjetorin e themelimit.

“Detyrës sime po i vjen fundi. Shpresoj se së bashku do të vazhdojmë të mbrojmë interesat e atdheut”, shkroi në letër Antonov, që mban datën 29 qershor.

Kur u pyet për këtë çështje të enjten, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakoharova, sipas agjencisë ruse të lajmeve, Interfax, tha:

“Nuk ka arsye që të komentohet kjo çështje. Gjithkush ka plane personale. Vendimi për emërimin dhe ndryshimin e ambasadorëve bëhet nga presidenti”.

Antonov, 69 vjeç, mori postin e ambasadorit në Uashington në shtator të vitit 2017. Paraprakisht, ai kishte shërbyer si zëvendësministër i Mbrojtjes dhe zëvendësministër i Jashtëm.

XS
SM
MD
LG