Ndërlidhjet

Ambasadori i ri amerikan: Në Kosovë ka ende punë për të bërë


Ambasadori i ri amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Ambasadori i ri amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Ambasadori i ri amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se në Kosovë si në çdo shtet tjerët ka ende punë të papërfunduara, por shtoi se e ardhmja e vendit është në duart e liderëve në Kosovë.

“SHBA-ja është partnere e qëndrueshme e Kosovës”, tha ai duke shtuar se Uashingtoni do të vazhdojë mbështetjen në shumë fusha.

"Do të punojmë me ju, me Qeverinë tuaj, popullin, shoqërinë civile për të avancuar prioritetet tona të përbashkëta, ashtu siç presidentja Osmani bëri zotime në Samitin për Demokracinë dhe përfshijnë mbështetjen e mëtejmë të avancimit të zhvillimit të institucioneve të pavarura, gjyqësorit, sundimit të ligjit, luftimi i korrupsionit", tha ai.

Hovenier tha se SHBA-ja përkrah përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për integrimin në institucioneve evropiane, duke shtuar se do të mbështesin Kosovën "që të luajë rolin e saj të drejtë në rajon, në kontekstin paqësor dhe për të mirën e të gjithëve".

Të hënën, më 10 janar, Hovenier dorëzoi letrat kredenciale te presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ai tha se shërbimi në Kosovë është "nder i jetës së tij".

Hovenier, gjatë konferencës së përbashkët për media me Osmanin tha se Kosova ka arritur që të vendoset në skenën globale si një shtet i suksesshëm demokratik dhe multietinik.

Ndërkaq, Osmani tha se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë vlera të përbashkëta demokratike.

“Vendi ynë, Kosova, i beson dhe i përfaqëson vlerat që i përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara. Dy popujt tanë besojnë në liritë demokratike dhe ne jemi të vendosur t’i mbrojmë ato gjithmonë, meqë i kemi fituar me shumë mund e sakrificë”, tha Osmani.

Ambasadori Hovenier u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kurti tha se shpreson në bashkëpunim të ngushtë me ambasadorin Hovenier, në mënyrë që të thellohen raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

"Ambasadori i ri e njeh shumë mirë rajonin tonë, e njeh shumë mirë Kosovën. Andaj, në javët, muajt dhe vitet në vijim unë pres që do të kemi bashkëpunim shumë të ngushtë për marrëdhënie sa më të mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që ta zgjerojmë dhe ta thellojmë partneritetin dhe aleancën tonë", tha Kurti gjatë një prononcimi për media.

Hovenier pason Philip Kosnettin në postin e ambasadorit në Kosovë.

Hovenier është diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Mandati i ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë është tre vjet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG