Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i ka pritur të martën në një takim disa politikanë serbë të Kosovës për, siç tha, të biseduar për çështjet e rëndësishme për komunitetin e tyre.
“Pata rastin të jem nikoqir i disa përfaqësuesve politikanë serbë të Kosovës sot. Mendimet e ndryshme dhe pluralizmi janë përbërës të çdo demokracie të fuqishme dhe të shëndoshë. Unë e përsërita mbështetjen tonë të kamotshme për një Kosovë sovrane, shumetnike dhe demokratike”, shkroi Hovenier në X, ish-Twitter.
Në takim, sipas një fotografie të publikuar nga ambasadori më 22 gusht, të pranishëm ishin, lideri i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, kryetari i Lëvizjes së Serbëve të Kosovës, Branimir Stojanoviq, kryetari i Nismës Qytetare për Zubin Potokun, Milija Bishevac, dhe kryetari i Iniciativës “Mbijetesa Serbe”, Aleksandar Arsenijeviq.
Hovenier nuk dha hollësi për atë se çfarë u bisedua rreth çështjeve të komunitetit serb në Kosovë.
Në Kosovë, partia më e madhe e serbëve është Lista Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar. Në dhjetë vjetët e fundit, ajo i ka fituar si zgjedhjet lokale, ashtu edhe ato të përgjithshme.
Pavarësisht se serbët janë shumicë në dhjetë komuna në Kosovë, numri i saktë i pjesëtarëve të këtij komuniteti nuk dihet, pasi ata kanë refuzuar që të marrin pjesë në regjistrimin e fundit të popullsisë më 2011.
Por, vlerësohet se në Kosovë jetojnë rreth 100.000 pjesëtarë të komunitetit serb. Sipas Kushtetutës, komunitetet gëzojnë të drejta të veçanta dhe mënyra e përdorimit të simboleve të tyre kombëtare rregullohet me ligj.
Po ashtu, sa i përket përdorimit të gjuhës, në nivel shteti gjuhë zyrtare janë shqipe dhe ajo serbe. Ndërkaq, gjuhët e komuniteteve të tjera gëzojnë statusin e gjuhës zyrtare në komunat ku një komunitet përbën shumicën.