Ndërlidhjet

Ambasadorët e QUINT-it takohen me krerët e shtetit të Kosovës


Ambasadorët e vende të QUIN-it takohen me krerët e shtetit të Kosovës, presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca, 3 prill 2024.
Ambasadorët e vende të QUIN-it takohen me krerët e shtetit të Kosovës, presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca, 3 prill 2024.

Ambasadorët e vende të QUIN-it u takuan të mërkurën pasdite me krerët e shtetit të Kosovës, presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca, njoftoi Presidenca.

Në një njoftim të shkurtër në Facebook, Presidenca tha se temë e takimit ishte synimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pa dhënë hollësi të tjera.

Kosova synon të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në muajt në vijim, pasi javën e kaluar, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se ajo ika plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në prill, dhe nëse ajo jep dritën jeshile, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj.

Serbia votoi kundër raportit të Bakoyannis dhe synon ta vazhdojë kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, megjithëse asaj i kërkohet të mos e kundërshtojë anëtarësimin e vendit fqinj në asnjë organizatë ndërkombëtare në përputhje me Marrëveshjen Bazë që palët e arritën në dialogut e ndërmjetuar nga BE-ja në shkurt të vitit 2023.

BE-ja thotë se Marrëveshja Bazë është ligjërisht e detyruese për Kosovën dhe Serbinë.

Ditë më parë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se reagimi i Serbisë duhet të jetë “i fortë, serioz dhe i përgjegjshëm” ndaj anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Anëtarësimi i Prishtinës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.

Në mars, Shtetet e QUINT-it e mirëpritën vendimin e Qeverisë së Kosovës që Agjencia Kadastrale ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për pronën e Manastirit të Deçanit.

Në QUINT bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG