Ndërlidhjet

Mbyllja e ambasadave afgane në Evropë hap rrugën për më shumë kontakte me talibanët


Përfaqësuesit e talibanëve, të udhëhequr nga ministri i tyre i Jashtëm, Amir Khan Muttaqi, duke mbërritur për një takim me zyrtarë norvegjezë në Oslo, në janar.
Përfaqësuesit e talibanëve, të udhëhequr nga ministri i tyre i Jashtëm, Amir Khan Muttaqi, duke mbërritur për një takim me zyrtarë norvegjezë në Oslo, në janar.

Pasi qeveria de facto e talibanëve shkëputi raportet me një numër misionesh diplomatike që operonin jashtë vendit nga diplomatë besnikë të Republikës së rrëzuar afgane, autoritetet britanike dhe norvegjeze kanë vendosur që të mbyllin ambasadat afgane që gjenden në shtetet e tyre.

Si Oslo, ashtu edhe Londra kanë thënë se vendimet e tyre në asnjë mënyrë nuk paraqesin njohjen zyrtare të sundimit të talibanëve në Afganistan, të cilët asnjë shtet nuk i ka njohur për shkak të shqetësimeve lidhur me nivelin e mjerueshëm të respektimit të të drejtave të njeriut dhe dështimeve për të mbajtur premtimet që ata i dhanë para se të merrnin pushtetin në gusht të vitit 2021.

Por, ekspertët thanë se mbylljet e ambasadave me gjasë do t’i hapin rrugë komunikimit më të madh me talibanët, të cilët kanë kontrollin e tërë territorit të Afganistanit dhe kanë forcuar kontrollin e pushtetit.

Diplomatët që kanë shërbyer në ish-qeverinë afgane mbetën të bllokuar kur talibanët morën kontrollin, por vazhduan punën në disa shtete perëndimore dhe vazhduan të ndihmonin qytetarët afganë.

Por, dritarja e punës së tyre nisi të mbyllej kur talibanët në korrik njoftuan se po shkëpusnin raportet me 14 misione të tilla në shtetet perëndimore, duke thënë se nuk do të pranonin asnjë dokument konsullor që ata do të procesonin, një burim i rëndësishëm financimi për vazhdimin e punës të këtyre misioneve.

Shumica e shërbimeve konsullore, sikurse verifikimi i dokumenteve të identifikimit apo dëshmi të tjera policore, që ofrohen nga ambasadat kërkojnë një shkallë bashkëpunimi me qeverinë e shtetit sepse misionet diplomatike mund të mos kenë qasje në të gjitha të dhënat e qeverisë.

Gjatë këtij muaji, Zyra për Marrëdhënie me Jashtë e Britanisë njoftoi se do të mbyllte Ambasadën afgane në Londër. Kjo zyrë tha për Radion Evropa e Lirë më 9 shtator se vendimi u mor pas “shkarkimit nga puna të stafit të Ambasadës nga talibanët”.

Norvegjia shpejt ndoqi shembullin e Britanisë, duke njoftuar se Ambasada afgane në Oslo do të mbyllej më 12 shtator.

Qeveria britanike dhe ajo norvegjeze kanë lënë të kuptohet se vendimet e tyre nuk përbëjnë njohje zyrtare të qeverisë të talibanëve, grup i linjës së ashpër. Ndërtesat e ambasadave, që janë pronë e Afganistanit, më vonë do t’i dorëzohen një qeverie “të njohur” të Afganistanit.

Por, Hameed Hakimi, ekspert për Afganistanin, tha se vendimet për mbylljen e ambasadave mund të merren si “një realitet” se talibanët “ka pak gjasa të zëvendësohen në një të ardhme të afërt”.

Talibanëve, tha ai, kjo u ofron mundësi të argumentojnë se sundimi i tyre po njihet, qoftë edhe duke mos pasur njohje formale.

“Talibanët mund ta përdorin këtë në avantazhin e tyre në përpjekjet e tyre për legjitimitet me afganët dhe faktorin ndërkombëtar”, tha Hakimi, hulumtues në institutin Chatham House të Londrës.

Dhjetëra shtete, kryesisht fqinj të Afganistanit, veçse kanë ambasada funksionale në Kabul dhe disa kanë akredituar diplomatë talibanë. Qeveria e talibanëve po ashtu pjesërisht kontrollon misionet diplomatike në disa shtete dhe ka vendosur raporte të punës me misionet diplomatike afgane në Republikën Çeke, Spanjë, Holandë, Bullgari dhe në Konsullatën afgane në Munih.

Misionet që operojnë në shtetet perëndimore janë me staf diplomatik që ishte emëruar nga qeveria paraprake dhe këta persona tashmë janë izoluar.

Hakimi tha se nëse të gjitha këto misione mbyllen “kjo në të vërtetë do të nënkuptonte mbylljen e kapitullit të Republikës Islamike afgane”.

Republika Islamike afgane, siç njihej formalisht, u krijua pasi aleanca ushtarake e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara rrëzuan qeverinë e talibanëve në nëntor të vitit 2001, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Nju Jork dhe Uashington.

Pothuajse dy dekada më vonë, Republika afgane, e njohur ndërkombëtarisht, kolapsoi teksa talibanët morën pushtetin pas tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani.

Talibanët, ndërkaq, rikrijuan emiratin brutal që kishin në vitet ’90, duke vendosur ndalime të ashpra dhe ligje diskriminuese që rezultuan në shkelje të gjera të të drejtave të njeriut. Gratë dhe vajzat afgane janë privuar nga edukimi dhe punësimi në shumicën e sektorëve dhe kanë mungesë të të drejtave themelore.

Këto politika të talibanëve deri më tani kanë pamundësuar që qeveria e tyre të njihet zyrtarisht. Mungesa e kësaj njohjeje ka ndërlikuar komunikimin me qeverinë e talibanëve për një sërë çështjesh të rëndësishme, sikurse ndihma humanitare, dhe e ka bërë të vështirë për 2 milionë afganët që jetojnë në shtetet perëndimore që të kenë qasje në shërbimet konsullore.

Graeme Smith, analist i lartë për Afganistanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, me bazë në Bruksel, tha se qeveritë perëndimore mund të jenë duke vepruar në bazë të rekomandimit të koordinatorit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për të lehtësuar lëshimin e dokumenteve për afganët jashtë vendit.

Në raportin e tij, që në dhjetor të vitit 2023 u mbështet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, koordinatori i OKB-së për Afganistanin, Feridun Sinirlioğlu, bëri thirrje për bashkëpunim më të mirë mes regjimit taliban dhe botës jashtë, me qëllim që afganët të mund të marrin dokumentet që u duhen për të vazhduar jetën e tyre të përditshme.

“Afganët janë duke vuajtur, pa pasur qartësi se ku të shkojnë kur iu duhen dokumente të identitetit apo dokumente të udhëtimit”, tha Smith, duke treguar se afganët të cilët nuk kanë dokumente të udhëtimit nga ndonjë shtet tjetër, përballen me mungesë të shërbimeve konsullore.

“Hapat që po i shohim tani mund të jenë përpjekje praktike të disa qeverive” për të përmirësuar situatën, tha Smith.

Sipas tij, ende ka sfida që këto përpjekje “që synojnë rritjen e presionit ndaj regjimit, të mos sabotojnë jetën dhe mirëqenien e afganëve”.

Shumë kryeqytete perëndimore po ashtu po përballen me çështjen e ndërlikuar se çfarë të bëjnë me azilkërkuesit afganë, aplikimet e të cilëve janë refuzuar.

Muajin e kaluar, Gjermani dëboi 28 burra afganë të dënuar për krime në këtë shtet. Ata u dërguan në Kabul dhe Katari luaji rolin e ndërmjetësit për të siguruar bashkëpunimin e talibanëve, në mënyrë që grupi i linjës së ashpër të pranonte afganët e kthyer.

Smith tha se disa shtet “po e zbulojnë padobishmërinë” e pasjes së pranisë konsullore “të lidhur me autoritetet në Kabul”, nëse atyre u duhet të aranzhojnë kthimin e emigrantëve afganë.

“Por, është e paqartë nëse ky ka qenë motivi për mbylljet e fundit”, tha ai.

Si Britania, ashtu edhe Norvegjia nuk kanë treguar nëse do të lejojnë qeverinë e talibanëve të ofrojë shërbime konsullore në Londër dhe Oslo.

Fati i Ambasadës afgane në Berlin dhe i Konsullatës në Bon është i paqartë, edhe pse Konsullata në Berlin me gjasë do të mbetet e hapur për shkak se bashkëpunon me qeverinë e talibanëve sa i përket shërbimeve konsullore.

Në Londër, eksperti për Afganistanin Hakimi tha se mbyllja mund të krijojë një “mundësi për talibanët që të lobojnë te shtetet perëndimore” që përfaqësuesit e tyre të lejohen, të paktën, të ofrojnë shërbime konsullore.

Varje në publik: A ndryshojnë dot talibanët?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:15 0:00

Këto misione diplomatike afgane mund të mbesin të mbyllura për një kohë të pacaktuar, sikurse ngjashëm ndodhi në SHBA, ku Ambasada afgane dhe dy konsullata janë të mbyllura që nga marsi i vitit 2002. Ambasada afgane në Kanada ofron shërbime këshilluese nga distanca për afganët që jetojnë në SHBA.

Në Norvegji, një grua afgane që jeton në Oslo, tha se është e shqetësuar për bashkatdhetarët e saj të cilët tani nuk kanë qasje në shërbimet konsullore.

“Ka mundësi që procesi i dëbimit me forcë të afganëve do të nisë”, tha ajo për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë. “Ky proces, megjithatë, duhet të ndalet”.

Mina Rafiq, një tjetër afgane që jeton në Norvegji, tha se preferon mbylljen e ambasadave sesa bashkëpunimin me talibanët.

“Kjo gjë mund të jetë në favor të azilkërkuesve afganë”, tha ajo, “sepse Qeveria norvegjeze tani duhet t’u japë atyre dokumentet e nevojshme”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG