Ndërlidhjet

Hulumtim i REL-it: Asistenti politik në Ambasadën hungareze, pjesëmarrës në tubimin e supremacistëve në SHBA


Supremacistët e bardhë gjatë një marshi me flakadanë në Sharlotsvill të SHBA-së më 11 gusht 2017. Në këtë marsh ishte i pranishëm edhe asistenti politik në Ambasadën hungareze në SHA, Taylor Ragg.
Supremacistët e bardhë gjatë një marshi me flakadanë në Sharlotsvill të SHBA-së më 11 gusht 2017. Në këtë marsh ishte i pranishëm edhe asistenti politik në Ambasadën hungareze në SHA, Taylor Ragg.

Një qytetar amerikan, që shërben si asistent politik në Ambasadën hungareze në Uashington, më 2017 kishte marrë pjesë në një tubim të supremacistëve të bardhë në Sharlotsvill të Virxhinias, kur mbeti i vdekur një person që po protestonte kundër këtij tubimi, sipas një hulumtimi të kryer nga Shërbimi hungarez i Radios Evropa e Lirë.

Në shtatë vjetët e fundit, Taylor Ragg, është përfshirë në krahët konservatorë dhe të ekstremit të djathtë në skenën politike në SHBA dhe gjerësisht ka mbështetur sundimin autoritar të kryeministrit populist hungarez, Viktor Orban, si model për Shtetet e Bashkuara.

Ragg, 29 vjeç, shërben si asistent politik në Ambasadën e Hungarisë në Uashington që të paktën nga shkurti i vitit 2021, sipas fotografive të nxjerra nga ueb-faqja e Ambasadës dhe disa burime të afërta me Ambasadën.

Emri i Taylor Ragg figuron në ueb-faqen e Ambasadës hungareze në SHBA.
Emri i Taylor Ragg figuron në ueb-faqen e Ambasadës hungareze në SHBA.

Videoja, që është analizuar nga Radio Evropa e Lirë tregon Raggun duke mbajtur një flakadan gjatë marshit të zhvilluar gjatë natës nga supremacistët e bardhë në Sharlotsvill më 11 gusht 2017, si pjesë e një proteste kundër vendimit të autoriteteve të qytetit për të larguar një statujë të gjeneralit Robert E. Lee, udhëheqës ushtarak i Konfederatës gjatë Luftës Civile Amerikane.

Pjesëmarrësit në këtë marsh brohoritën slogane nacionaliste, edhe pse pamjet filmike të analizuara nga gazetarët nuk e shfaqin Raggun, i cili mbante në duar flakadan, duke brohoritur me marshuesit e tjerë, të cilët brohoritën “Nuk do të na zëvendësoni”.

*Video nga arkivi: Dënohet dhuna dhe urrejtja në SHBA

Virxhinia: Dënohet dhuna dhe urrejtja
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:34 0:00

Një ditë më pas, pati përleshje mes pjesëmarrësve në protestën e quajtur “Bashkoni të Djathtën” dhe kundërprotestuesve, teksa një grua u vra kur një burrë goditi turmën e kundërprotestuesve me makinë. Shoferi u dënua për krime të urrejtjes dhe u dënua me burgim të përjetshëm.

Tri burime të afërta me Ambasadën hungareze në Uashington konfirmuan për Shërbimin hungarez të REL-it se personi që shihet në video gjatë marshimit me flakadanë, në vigjilje të ngjarjeve vdekjeprurëse, është Taylor Ragg.

As Raggu e as Ambasada nuk iu përgjigjën pyetjeve të dërguara nga REL- lidhur me punësimin e tij.

Taylor Ragg, në marshin e supremacistëve më 11 gusht 2017.
Taylor Ragg, në marshin e supremacistëve më 11 gusht 2017.

Një muaj pas ngjarjeve vdekjeprurëse në Sharlotsvill, Ragg u bë lajm në SHBA, pasi një grua që studionte në të njëjtin universitet me të e akuzoi atë se kishte nxitur ngacmime kundër saj përmes një postimi në Facebook, ku u bënte thirrje të tjerëve të “raportojnë këtë person të paligjshëm në shkollën time që mburret për shkeljet e ligjit”.

Gruaja, Paola Garcia, ishte dërguar në SHBA nga prindërit e saj kur ishte fëmijë dhe qëndron në SHBA përmes programit të iniciuar nga ish-presidenti amerikan Barack Obama, që lejon imigrantët pa dokumente të qëndrojnë në shtet përkohësisht, nëse ata kishin arritur në SHBA kur kishin qenë fëmijë.

Presidenti i Universitetit të Transilvanisë në Leksington të Kentakit, më pas doli me një deklaratë duke thënë se postimi i Raggut ishte “i dënueshëm”. Më vonë universiteti tha se ai më nuk ishte student aty.

Ragg u fotografua vitin e kaluar në Konferencën e Veprimit Politik Konservator, një konferencë vjetore që mbledh aktivistët dhe politikanët konservatorë. Ai u fotografua së bashku me Mark Ivanyo, kreun e grupit Republikanët për Rilindje Kombëtare. Ky grup avokues konservator e përshkruan veten si “nacional-populist”.

Ivanyo e ka lavdëruar Orbanin, i cili e ka mbështetur për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit ish-presidentin republikan Donald Trump, duke thënë se ai është “njeri i popullit dhe për popullin”.

Që kur erdhi në pushtet më 2010, Orban ka kufizuar të drejtat civile dhe ka shtrënguar kontrollin ndaj mediave, teksa ka vazhduar të mbajë raporte me presidentin rus, Vladimir Putin, pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës. Raportet me Putinin e kanë përplasur Orbanin me udhëheqësit e tjerë evropianë.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG