Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe pjesëtarë të Ambasadës amerikane në Prishtinë, kanë marrë pjesë në mbjelljen e një peme në oborrin e Ambasadës, si shenjë përkujtimi dhe nderimi të figurës së ambasadores së ndjerë amerikane, Tina Kaidanow.
Prej vitit 2006 deri më 2009 Kaidanow ka qenë shefe e misionit amerikan, dhe më pas ambasadorja e parë amerikane në Republikën e Kosovës.
“Kjo pemë do të qëndrojë si simbol i trashëgimisë së saj, dhe do të na kujtojë përkushtimin e saj të palëkundur për rrugën e Kosovës drejt paqes, demokracisë dhe pavarësisë”, ka thënë Hovenier përmes një postimi në X, platformë e njohur më parë si Twitter.
Ajo ka vdekur më 16 tetor në moshën 59-vjeçare.
Si diplomate e karrierës, Kaidanow ka qenë e angazhuar disa herë në rajonin e Ballkanit, me qëllim të mbështjes së proceseve paqësore.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të hënën se Kaidanow ka qenë diplomate e jashtëzakonshme, “e cila ka udhëhequr disa prej çështjeve më të sfiduese të politikës së jashtme në kohën e vet”.
Përgjatë karrierës, Kaidanow ka qenë e angazhuar edhe për rajonet e Greqisë, Turqisë, Qipros, Kaukazit dhe Afganistanit.
Në vitet e fundit ajo ka shërbyer si zëvendësdihmëse e Sekretarit të Shtetit në Byronë e Çështjeve Politiko-Ushtarake.