Kush është Aleksei Navalny, fitues i Çmimit Sakharov?
Udhëheqësi i opozitës ruse, Aleksei Navalny, e ka fituar Çmimin Sakharov, një shpërblim prestigjioz që ndahet nga Parlamenti Evropian për mbrojtësit e të drejtave të njeriut. Për më shumë se një dekadë, Navalny ka vënë në shënjestër elitën politike të Rusisë me hulumtime kundër korrupsionit, ka udhëhequr protesta politike, dhe ka garuar për pozitë. Që nga marsi, ai mbahet në një burg famëkeq në qytetin Pokrov, në Rusi. Ai u ndalua pas kthimit të tij në Moskë, në janar, pasi u shërua në Berlin nga ai që disa laboratorë në Perëndim konstatuan se ishte helmim nga një agjent nervor të nivelit ushtarak. Një raport nga Navalny dhe hulumtues të tjerë prezantoi prova të forta që Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë e kreu helmimin, ndërsa Navalny e akuzon presidentin Vladimir Putin se e ka porositur atë, në një përpjekje për ta vrarë. Më herët, këtë muaj, Aleksei Navalny u cilësua “terrorist” nga një komision i burgut në Rusi. (Përgatitën: Doruntina Baliu dhe Ibrahim Berisha)
Facebook Forum