Ndërlidhjet

“Aleksandri i Madh” largohet edhe nga Aeroporti i Shkupit


Mbishkrimi "Aleksandri i Madh" është larguar nga Aeroporti në Shkup
Mbishkrimi "Aleksandri i Madh" është larguar nga Aeroporti në Shkup

Autoritetet e Aeroportit të Shkup kanë larguar përmendoren e “Aleksandrit të Madh” nga hapësirat e brendshme. Paraprakisht është hequr edhe mbishkrimi po me këtë emër në hyrje të aeroportit.

Me këtë vendim, por edhe më atë të heqjes së tabelave përgjatë autostradës në drejtim të Greqisë dhe ndërrimit të emrit “Aleksandri i Madh” me emrin “Miqësia”, Shkupi ka zbatuar marrëveshjen ndërmjet kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, e cila ishte arritur gjatë takimit të muajit të kaluar në Davos të Zvicrës.

Greqia, nga ana tjetër, është zotuar për lejimin e anëtarësimit të Maqedonisë në disa nisma euroatlantike.

Drejtuesit e partive në pushtet, thonë se këto veprime i shohin si hap para drejtë zgjidhjes së kontestit 27 vjeçar, që ka të bëjë me ndërrimin e emrit të Maqedonisë.

“Gjithsesi që të gjitha këto masa kanë peshën e tyre, pasi tani me fqinjin tonë nuk bisedojmë më me gjuhën e përmendoreve, autostradave, aeroporteve, por bisedojmë njëri me tjetrin dhe jo njëri për tjetrin. Pra, po bisedojmë me gjuhën e fqinjësisë”, tha Artan Grubi, deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim.

“Të gjitha këto masa rrisin besimin mes palëve dhe ndihmojnë në zgjidhjen e kontestit, pasi në të kaluarën pikërisht këto masa, pra ato për vendosjen e përmendoreve kanë shërbyer për përkeqësimin e këtyre raporteve, ndërsa masat e tanishme jam optimist se do të ndikojnë pozitivisht në drejtim të zgjidhjes së kontestit”, theksoi Grubi.

Por, ndryshe nga partitë në pushtet, ato në opozitë, thonë se ndryshimi i emrit të aeroportit nuk do të sjellë raporte të mira fqinjësore me Greqinë.

“Pyesim publikisht nëse këto aktivitete janë pjesë e ndonjë strategjie më të gjerë për të cilën opinioni nuk është i njoftuar, apo bëhet fjalë për veprim të njëanshëm të Qeverisë së Maqedonisë? Nëse kemi të bëjmë me strategji, këtë qytetarët duhet ta dinë, pra duhet t’i dinë përfitimet e një hapi të tillë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

“Duke e parë se nuk kemi ende asnjë përgjigje, është e qartë se Qeveria po bën hapa të njëanshëm nga të cilët vendi nuk përfiton asgjë. VMRO-ja nuk sheh asnjë element irredentist tek emrat e aeroportit dhe autostradës”, thekson VMRO-DPMNE. Gjatë qeverisjes së kësaj të fundit, ishin vendosur emrat e këtyre objekteve, por edhe të shumë të tjerave, të cilat nga Greqia janë cilësuar provokim me tendencë irredentiste.

"Bie Aleksandri i Madh"
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:08:50 0:00

Nga ana tjetër, edhe drejtuesit e disa organizatave joqeveritare që kundërshtojnë ndërrimin e emrit thonë se me këto veprime, Maqedonia çdo ditë e më tepër, sipas tyre, po nënçmohet nga ana e Greqisë.

“Emri është diçka me të cilin nuk bëhet pazar. Akti i ndërrimit të emrit është i turpshëm. Pavarësisht se cilin emër do ta pranojnë, unë vlerësoj se vetë akti i një kërkese dhe lëshimi të tillë është i ulët pasi shkel gjënë më të shtrenjtë të një populli- identitetin. Në Evropë duhet të hymë si partner të barabartë dhe jo të nënçmuar”, thotë Solza Gërçeva, e cila së bashku me shumë personalitete tjera maqedonase kanë nënshkruar një peticion për ndërprerjen e bisedimeve.

Ndryshe, kryeministri Zoran Zaev, një ditë më parë tha se Qeveria vazhdon përpjekjet për zgjidhjen e kontestit, ndërsa ka përsëritur qëndrimin se për të janë të pranueshëm katër emra të rinj për vendin me përcaktim gjeografik si Maqedonia Veriore, Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Vardarit apo Maqedonia (Shkupi). Zaev gjithashtu i ka quajtur të papranueshme kërkesat e palës greke për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim ndryshimin edhe të identitetit dhe të gjuhës si dhe atë që emri të jetë për përdorim të brendshëm dhe të jashtëm edhe atë pa përkthim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG