Drejtuesit e institucioneve kanë nisur me zbatimin e masave për ndërtimin e raporteve të fqinjësisë së mirë me Greqinë, si pjesë e procesit për zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë.
Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë” ka filluar me zëvendësimin e tabelave të autostradës në drejtim me Greqinë që mbante emrin “Aleksandri i Madh”, heroit të dy vendeve, ndërsa së shpejti do të nisë vendosja e tabelave me emrin e ri “Miqësia”.
Vendimi për këtë ishte marrë gjatë takimit të dy kryeministrave, Zoran Zaev dhe AlexisTsipras në Davos të Zvicrës, në kuadër të Forumit Botëror Ekonomik. Një hap i këtillë është vlerësuar pozitivisht nga Athina, duke e parë si dëshmi se Maqedonia po heq dorë, sipas tyre, nga irredentizmi.
Ndryshe, që nga takimi i mbajtur në Davos muajin e kaluar dhe takime të ministrave të Punëve të Jashtme këtë muaj në Vjenë dhe Sofje, zhvillime tjera nuk ka pasur mes drejtuesve të të dy vendeve.
Pozicionet mbetet të njëjta. Pala greke insiston në zgjidhje që njihet si “Erga Omnes”, e cila nënkupton emër të ri të Maqedonisë për përdorim të përgjithshëm, si brenda ashtu edhe jashtë vendin. Kjo do të nënkuptonte edhe ndryshimin e Kushtetutës, por edhe të identitetit, gjuhës, akronimeve dhe çështjeve tjera që janë pjesë e preambulës dhe definimit të shtetit. Por, pala maqedonase kërkon që përveç emrit, gjithçka tjetër të mbetet në kuadër të Kushtetutës aktuale, apo mosndryshimit të saj.
Opozita nga ana tjetër mbetet në qëndrimin se zgjidhja nuk duhet të rrezikojë interesat nacionale e shtetërore, por thotë se do të jetë pjesë e procesit për të mos e akuzuar më pas si fajtore e dështimeve eventuale.
“Ne nuk do të lejojnë që dështimin eventual dikush ta arsyetojë me qëndrimet tona, por nuk do të jemi edhe pjesë e zgjidhjeve që nuk do të jenë të dinjitetshme dhe që nuk do të jenë në përputhje me interesat e qytetarëve. Nga takimi i fundit që kishim me përfaqësuesit e institucioneve, nuk mund të them nëse kryeministri i përmbahet qëndrimeve të njëjta, pasi kemi një kakofoni komentesh nga zyrtarët, pra kemi qëndrime të ndryshme. Fillimisht u tha se do të ketë referendum, pastaj u tha se referendumi do të shtyhet që përsëri të kthehen në qëndrimin për mbajtjen e tij”, ka deklaruar kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Megjithatë, njohësit e çështjeve politike nuk besojnë se do të vjen deri tek ndryshimi i Kushtetutës dhe se zvarritja apo heshtja mes palëve ka të bëjë me gjetjen e një emri të pranueshëm, pa prekur çështjen tjera që janë pjesë e debatit.
“Mendoj se negociatat që po zhvillohen për momentin për emrin janë në drejtim që ne të mos bëjnë asnjë lëshim sa i përket Kushtetutës. Mendoj se formulimi i zgjedhjes po bëhet me shumë kujdes, andaj edhe po zgjat procesi i gjetjes së zgjidhjes”, thotë analisti politik, Mitko Gaxhovski.
Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev në disa paraqitje para mediave ka thënë se zgjidhja për emrin mund të pritet në gjysmën e parë të këtij viti, ndërsa ka paralajmëruar edhe kyçje intensive të përfaqësuesve ndërkombëtarë. Në këtë kuadër shihet edhe vizita e tij në Gjermani dhe takimi me kancelaren, Angela Merkel.