Ndërlidhjet

Deklarata e Vulinit për botën serbe “nuk është politikë zyrtare”


Ministrja e Minierave dhe Energjisë e Serbisë, Zorana Mihajlloviq.
Ministrja e Minierave dhe Energjisë e Serbisë, Zorana Mihajlloviq.

Ministrja e Minierave dhe Energjisë e Serbisë, Zorana Mihajlloviq, tha se deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, se për stabilitetin e Ballkanit duhet që të gjithë serbët të jetojnë në një shtet, nuk është qëndrim zyrtar i Qeverisë së Serbisë.

Duke iu përgjigjur kërkesës së gazetarëve për të komentuar deklaratën e Vulinit, Mihajlloviq tha: “Nuk mund të ikim nga e kaluara, por duhet të bashkëpunojmë për hir të brezave që vijnë pas nesh”.

“Ajo deklaratë [e Vulinit] nuk është politikë zyrtare e Qeverisë së Serbisë, pa marrë parasysh se Qeveria është me mandat teknik. Si qytetar, ai ka të drejtë t’i shprehë të gjitha dëshirat e tij, aspiratat dhe ëndrrat, por një gjë e tillë nuk është qëndrim zyrtar i Qeverisë së Serbisë”, u tha Mihajlloviq gazetarëve në Sarajevë, ku edhe mori pjesë në një forum për energjinë.

Mihajlloviq tha se politikanët duhet të punojnë në projekte të përbashkëta, të cilat do të përmirësojnë ekonominë, e jo të merren me të kaluarën.

“Është koha të gjejmë mënyra të përbashkëta për bashkëpunim dhe të gjejmë interesin më të vogël të përbashkët, e ai është ekonomia dhe energjetika”, tha Mihajlloviq.

Vulin, në një intervistë për gazetën serbe, Politika, më 10 korrik, ka thënë se “mënyra e vetme që Ballkani të mbetet stabil, është që serbët të jetojnë në një shtet”.

“Të gjitha konfliktet në Ballkan fillojnë me diskriminimin e serbëve. Aty ku i respektojnë të drejtat e serbëve, nuk kanë problem me ‘botën serbe’”, ka thënë Vulin.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Serbi, e cila ka thënë se ajo nuk është në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit apo aspiratat evropiane të Serbisë.

“Marrëveshja për Paqe e Dejtonit ruan paqen dhe stabilitetin. Të gjitha qeveritë dhe presidentët e Serbisë e kanë mbështetur deri më tani. Komentet e ministrit të Punëve të Brendshme për bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet nuk janë në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe bien ndesh me integrimin e Serbisë në strukturat evropiane”, ka shkruar Ambasada amerikane në Twitter, më 11 korrik.

Marrëveshja e Dejtonit është nënshkruar zyrtarisht më 14 dhjetor të vitit 1995 në Paris. Marrëveshja është nënshkruar nga udhëheqësit e atëhershëm: Alija Izetbegoviq i Bosnje e Hercegovinës, Franjo Tugjman i Kroacisë dhe Sllobodan Millosheviq i Jugosllavisë.

Kjo nuk është hera e parë që Vulin përdor termin “botë serbe”.

“[Presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq duhet të krijojë ‘botën serbe’. Beogradi duhet t’i mbledhë të gjithë serbët brenda dhe rreth vetes, ndërsa presidenti i Serbisë është president i të gjithë serbëve”, ka thënë Vulin më 26 shtator të vitit 2020.

Edhe më 18 korrik të vitit 2021, Vulin ka thënë se “detyrë e gjeneratës aktuale të politikanëve në Serbi është që të krijojë ‘botën serbe’ dhe t’i bashkojë serbët kudo që jetojnë”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG