Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Athina zyrtare ka konfirmuar sërish se nuk e ka ndryshuar qëndrimin karshi pavarësisë së Kosovës.
Këtë deklaratë ai e bëri pas takimit me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, në Athinë.
Takim dypalësh me liderin grek gjatë 22 gushtit ka zhvilluar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Miqtë tanë grekë edhe një herë konfirmuan se nuk do të ketë ndryshim të pozicionit zyrtar karshi mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës”, shkroi ai në Instagram.
Greqia si dhe katër shtete të tjera të Bashkimit Evropian – Qipro, Spanja, Sllovakia dhe Rumania – nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, që Prishtina e shpalli më 2008.
Pavarësisht se Greqia nuk e njeh Kosovën, Athina mbështet dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Vuçiq dhe Kurti ishin në mesin e disa liderëve nga Ballkani Perëndimor, të Bashkimit Evropian, Ukrainës dhe Moldavisë që morën pjesë në një darkë joformale më 21 gusht në Athinë me rastin e 20-vjetorit të samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Ndërkaq, Kurti bisedoi me Mitsotakis për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve dhe për situatën në veri të Kosovës, u tha në njoftimin e Zyrës së kryeministrit kosovar.
Në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, që nga fundi i majit tensionet janë rritur për shkak se popullata lokale po kundërshton kryetarët e rinj shqiptarë. Këta udhëheqës të rinj komunalë u zgjodhën në zgjedhjet e prillit, të cilat u bojkotuan nga popullata serbe.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet dhe në komunat veriore të mbahen zgjedhje të reja. Kosova dhe BE-ja kanë arritur një marrëveshje për hapat që duhet të ndërmerren për shtensionimin e plotë të tensioneve. Në mesin e këtyre hapave është edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja.