Ndërlidhjet

Vuçiq thotë se BE-ja po i kërkon Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fotografi nga arkivi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Evropa po i kërkon Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“De facto ose de jure. Kjo po kërkohet. Le të mos gënjejmë për këtë gjë. Fuqia më e madhe, Bashkimi Evropian po e kërkon këtë”, tha Vuçiq për televizionin Pink më 7 janar.

Duke folur lidhur me atë nëse qytetarët e Serbisë mund të pajtohen që shteti të futet në BE, Vuçiq tha se është për këtë gjë, por gjysma e qytetarëve janë për dhe gjysma tjetër kundër hyrjes në BE.

Ai po ashtu tha se qytetarët e Serbisë po ashtu nuk pajtohen sa i përket Kosovës.

“Ne mund ta gënjejmë veten se kemi pajtim për këtë çështje. Sigurisht që nuk kemi. Sigurisht që një pjesë mendon se Kosova duhet të dorëzohet sa më shpejt që të jetë e mundur sepse Serbia do të ishte më e shëndetshme, por ata këtë nuk e thonë dhe nuk duhet ta thonë publikisht. Të tjerët do të thonë se ‘Kosova dhe Metohia’ duhet të mbrohet me çdo kush, por pa mua dhe fëmijët e mi”, tha ai.

Që kur Kosova e ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008, është njohur nga mbi 100 shtete.

Pavarësia e Kosovës njihet nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përjashtuar nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Në Kushtetutën serbe, Kosova vazhdon të konsiderohet pjesë e Serbisë.

Që nga viti 2011, BE-ja lehtëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky proces mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Vitin e kaluar, palët arritën Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin për zbatimin e saj. Pavarësisht trysnisë ndërkombëtare që palët të zbatojnë marrëveshjen, blloku evropian ka thënë se ajo nuk po zbatohet.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë vazhdimisht që dialogu për normalizimin e raporteve duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG