Ndërlidhjet

Aleatët diskutojnë ndihma të reja për Ukrainën, Rusia intensifikon sulmet


Një shpërthim i një droni shihet në qiellin mbi Kiev gjatë një sulmi me dron rus në orët e para të 25 majit.
Një shpërthim i një droni shihet në qiellin mbi Kiev gjatë një sulmi me dron rus në orët e para të 25 majit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin do të mbajë një takim virtual të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës (UDCG), i cili përbëhet nga dhjetëra vende që kanë mbështetur Kievin në luftën e tij kundër pushtimit të paligjshëm të Rusisë, mes thirrjeve të presidentit Volodymyr Zelensky për aleatët që të shpejtojnë dorëzimin e avionëve luftarakë të premtuar F-16 për të forcuar mbrojtjen ajrore të vendit të tij.

Sipas Pentagonit, takimi virtual i planifikuar i UDCG-së do të fokusohet në strategjitë për të ruajtur aftësitë e manovrimit të Ukrainës dhe për të përmirësuar mbrojtjen ajrore të vendit në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme nga Rusia.

Takimi vjen pasi Rusia po intensifikon sulmet ajrore kundër qyteteve dhe rajoneve të Ukrainës.

Moska lëshoi një valë të re të dronëve sulmues të prodhuar nga Irani në Kiev dhe disa rajone të Ukrainës gjatë natës, por të gjithë dronët u rrëzuan, njoftoi mbrojtja ajrore e Ukrainës më 25 maj.

"Gjithsej 36 dronë u nisën drejt Ukrainës nga veriu dhe jugu. Me sa duket, armiku synonte të sulmonte infrastrukturën kritike dhe objektet ushtarake në rajonet perëndimore të vendit", tha mbrojtja ajrore.

Më herët, zyrtarët ukrainas thanë se alarme për sulme ajrore ishin lëshuar në rajonet e Kievit, Çernihivit, Zhitomirt, Kirovohradit, Mikolaivit, Hersonit, Dnipropetrovskut, Odesas, Volinit, Ternopilit, Vinitsjas dhe Lvivit.

Luftimet vazhduan për qytetin e Bahmutit, i cili është bërë epiqendra e luftës në rajonin Donjeckut të Ukrainës, tha ushtria ukrainase në përditësimin e saj të përditshëm se çfarë po ndodh në vijën e frontit, më 25 maj.

Mbrojtësit ukrainas zmbrapsën 28 sulme ruse në Bahmut, tha ushtria.

Granatimet ruse vranë gjithashtu një civil në Çasiv Jar, një lokacion afër Bahmutit, tha më 25 maj guvernatori rajonal i Donjeckut, Pavlo Kyrylenko.

Në adresimin e tij të rregullt me video, Zelensky theksoi se dorëzimi i avionëve F-16 të prodhuar nga SHBA në Kiev shërben si një tregues domethënës se Rusia është do të mposhtet në luftën në Ukrainë.

Zelensky tha se "F-16 i parë ukrainas do t'i dërgojë një mesazh të fuqishëm botës se agresioni i Rusisë do të çojë vetëm në humbjen e saj. Ai do ta bëjë Rusinë më të dobët dhe më të izoluar".

Ai theksoi më tej rëndësinë e trajnimit të pilotëve dhe furnizimit të shpejtë, duke nënviziar nevojën për vendime të shpejta për të mbrojtur në mënyrë efektive hapësirën ajrore të Ukrainës.

Ndërkohë, Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) më 25 maj u citua nga agjencitë ruse të lajmeve të ketë thënë se ka arrestuar dy ukrainas për të cilët pretendon se po planifikonin të sulmonin termocentralet bërthamore ruse.

"Një grup sabotazhi nga shërbimi i inteligjencës së jashtme ukrainase u përpoq të hidhte në erë rreth 30 linja energjetike të centraleve bërthamore në Leningrad dhe Kalinin", citohet të ketë thënë FSB.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, më 24 maj, tre anije sipërfaqësore të telekomanduara me origjinë ukrainase bënë një përpjekje për të sulmuar një anije luftarake ruse në Detin e Zi. Ministria tha në një postim në Telegram se anija ruse kishte mbrojtur tubacionet e gazit TurkStream dhe Blue Stream që transportojnë gaz nga Rusia në Turqi, nuk u dëmtua dhe se të gjitha anijet sulmuese u shkatërruan.

Kievi nuk komentoi menjëherë pretendimin, i cili nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG