Ndërlidhjet

Haxhiu: Projektkodi Civil së shpejti do të miratohet në Kuvend


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministria e Drejtësisë së shpejti do ta dërgojë në Kuvend Projektkodin Civil, i cili, sipas drejtueses së kësaj ministre, do të miratohet.

Ministrja Albulena Haxhiu, tha se kanë zhvilluar takime me deputetët e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, duke pranuar se disa prej tyre ende kanë “qëndrimet dhe bindjet e tyre”, por tha se ky legjislacion kësaj radhe do të miratohet.

“Unë nuk them në asnjë mënyrë që secili deputet i Grupit Parlamentar do të votojë për. Ka ende disa që i kanë qëndrimet dhe bindjet e tyre. Por, po them edhe një herë, Qeveria dhe Grupi Parlamentar në shumicë angazhohet për avancimin e të drejtave të njeriut, jo vetëm për hir tonin si shtet, por edhe për hir të proceseve në të cilat ne kemi aplikuar. Për shembull, aplikimi në Këshillin e Evropës është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën dhe për t’u bërë anëtar, ju e dini se së pari duhet të respektohen të drejtat e njeriut”, tha Haxhiu gjatë një konference për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 26 tetor.

Haxhiu nuk tregoi se çfarë ndryshimesh ka pësuar Projektkodi Civil, pasi dështoi të miratohej më 16 mars. Por, ajo tha se ndryshimet do të bëhen publike kur të kalojë nga Qeveria në Kuvend, duke shtuar se përveç deputetëve të Vetëvendosjes, pret edhe përkrahjen e opozitës.

Gjatë seancës plenare të 16 marsit, disa deputetë kundërshtuan pjesën e legjislacionit që lejonte “bashkësitë civile”.

Atëbotë, edhe krerët e katër bashkësive fetare në Kosovë kundërshtuan, siç thanë, ndryshimin e përkufizimit të martesës.

Në versionin e parë të Projektkodit, thuhej se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Por, në nenin pasues theksohej se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

Kushtetua e Kosovës thotë se “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Në shtetet perëndimore, bashkësitë civile nuk konsiderohen si martesa, por si marrëdhënie e ligjshme ndërmjet dy personave, që siguron mbrojtje ligjore për çiftin, vetëm në nivel shtetëror.

Në Bashkimin Evropian, bashkësitë civile lejojnë dy persona që jetojnë së bashku në çift, të regjistrojnë marrëdhënien e tyre me autoritetin publik përkatës në vendbanimin e tyre. Dallimet midis vendeve të BE-së në këtë fushë po ashtu ekzistojnë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG